Pas një takimi në Uashington mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan paqeje me 20 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza — të cilin Trump e përshkroi si një marrëveshje “më shumë se shumë afër” për t’u finalizuar.

Sipas planit të prezantuar, do të ketë një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, lirimin e pengjeve izraelite nga Hamas dhe dërgimin urgjent të ndihmave humanitare në Gaza. Plani parashikon gjithashtu që Hamas të mos ketë asnjë rol në qeverisjen e territorit, ndërsa lë të hapur mundësinë për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Trump tha se një “Bord Pake” i udhëhequr nga ai vetë, ku pritet të marrë pjesë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.

“Është një ditë historike për paqen. Tani topi është në fushën e Hamasit,” deklaroi Trump, duke shtuar se nëse grupi e refuzon planin, Netanyahu do të ketë mbështetjen e plotë të SHBA-së “për të bërë atë që duhet bërë”.

Nga ana e tij, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli është i gatshëm të zbatojë planin “në mënyrën e lehtë ose të vështirë”:

“Nëse Hamas e refuzon ose nuk e respekton marrëveshjen, ne do ta përfundojmë punën,” tha ai.

Çfarë parashikon plani me 20 pika

  • Ndërprerje e menjëhershme e operacioneve ushtarake dhe ngrirje e vijave të frontit aktuale.
  • Lirimi i 20 pengjeve izraelite të gjallë dhe i trupave të më shumë se dy dhjetëra të tjerëve brenda 72 orëve.
  • Shkëmbim të të burgosurve, ku Izraeli do të lirojë qindra të ndaluar nga Gaza.
  • Shkatërrim i armëve të Hamasit dhe demilitarizim i plotë i Gazës.
  • Qeverisje e përkohshme nga një komitet palestinez teknokrat, apolitik, nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes.
  • Izraeli nuk do të pushtojë apo aneksojë Gazën, ndërsa do të tërhiqet në faza.
  • Fokus i madh në planin ekonomik të rindërtimit të Gazës.
  • Rrugë e hapur drejt shtetësisë palestineze në një fazë të mëvonshme.

Reagime të para

  • Tony Blair e quajti planin “të guximshëm dhe inteligjent”, duke thënë se është “mundësia më e mirë për t’i dhënë fund luftës pas gati dy vitesh”.
  • Familjet e pengjeve izraelite falënderuan Trumpin dhe kërkuan që Netanyahu të “ndalojë menjëherë luftimet për të mos rrezikuar jetët e të dashurve të tyre”.
  • Një burim palestinez konfirmoi për BBC se zyrtarëve të Hamasit në Doha u është dorëzuar dokumenti nga ndërmjetësit katarezë dhe egjiptianë. Megjithatë, një zyrtar i Hamasit deklaroi më herët se grupi ende nuk e ka marrë zyrtarisht propozimin, por është i hapur për ta shqyrtuar nëse garanton interesat palestineze dhe tërheqje të plotë të Izraelit.

Plani përmban shumë elementë të diskutueshëm, sidomos për koalicionin e djathtë të Netanyahut. Klauzolat për amnisti ndaj luftëtarëve të Hamasit, kufizimi i aftësisë së Izraelit për të qëndruar në Gaza dhe rruga drejt shtetësisë palestineze pritet të shkaktojnë debat të fortë në Izrael. Nga ana tjetër, analistët paralajmërojnë se paqartësitë në disa pika kyçe mund t’i japin secilës palë mundësinë të akuzojë tjetrën për dështim.

Netanyahu pritet ta prezantojë planin jo si marrëveshje të mbyllur, por si një test për Hamasin — një test që shumë në Izrael besojnë se grupi nuk do ta kalojë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu