
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka konfirmuar zyrtarisht gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se qeveria franceze do të njohë shtetin e pavarur të Palestinës, duke iu bashkuar një vale shtetesh që kanë marrë të njëjtin hap në javët e fundit.
“Ne duam dy shtete që jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri. Ky është realiteti që duhet të ndërtojmë.”
Macron theksoi se kjo lëvizje nuk është kundër Izraelit, por një përpjekje për të shpëtuar zgjidhjen me dy shtete nga kolapsi i plotë.
“Kjo njohje nuk është një fitore për Hamasin, por një mundësi për të kthyer shpresën. Franca ka qëndruar përherë në krah të sigurisë së Izraelit, përfshirë edhe kur është përballur me sulme nga Irani. Por zgjidhja afatgjatë është paqja, jo lufta”, tha ai.
Duke iu referuar zhvillimeve në Gaza, Macron kritikoi intensifikimin e ofensivës izraelite.
“Aktualisht Izraeli po zgjeron operacionin ushtarak në Gaza, me qëllimin e shpallur për të shkatërruar Hamasin. Por pasojat janë qindra mijëra njerëz të zhvendosur, të plagosur, të uritur, të traumatizuar.”
Ai shtoi se prioriteti më urgjent tani është lirimi i 48 pengjeve dhe përfundimi i operacioneve ushtarake./Panorama