Në Gjykatën Speciale në Hagë po vijon procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot është dita e dytë e dëshmisë së ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili u thirr nga mbrojtja si dëshmitar.

Rubin tha se në fillim SHBA e kishte përshkruar UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste, por qëndrimi ndryshoi pas marrëveshjes së Rambujes.

“Fillimisht i përshkruanim si persona që bënin aktivitete terroriste. Nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete të tilla. Ky qëndrim ndryshoi pasi UÇK-ja u pajtua me Rambujen dhe atëherë i konsideruam në anën e engjëjve”, – u shpreh Rubin.

Ish-diplomati amerikan tha gjithashtu se forcat serbe u përpoqën të mbulonin krimet e tyre duke ia hedhur fajin UÇK-së.

“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në, kjo ishte mënyra se si regjimi i asaj kohe mundohej të justifikonte fajin tek të tjerët,” – deklaroi ai.

Rubin sqaroi se nuk i kujtohej nëse kishte takuar personalisht Jakup Krasniqin gjatë luftës, apo nëse ai dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje, duke theksuar se “këto ngjarje kanë ndodhur para 25 vjetësh”.

Seanca e djeshme shënoi fillimin e paraqitjes së provave nga mbrojtja në gjyqin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të qeverisë amerikane për të shoqëruar dëshmitarin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu