
Ish-diplomati amerikan James Rubin ka nisur sot dëshminë e tij para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë shërbeu si ndihmës sekretar amerikan i Shtetit dhe zëdhënës kryesor i Departamentit të Shtetit, po dëshmon si dëshmitari i parë i mbrojtjes. Ai ka kujtuar takimet e tij me Hashim Thaçin, duke theksuar se e ka parë nga afër transformimin e tij nga një “djalë i ri në rrethana të vështira” në postin e kryeministrit dhe më pas president i Kosovës.
“E mbaj mend kur erdhi në një restorant në New York si kryeministër. U habita sepse disa vite më parë e kisha takuar në rrethana krejt të tjera. Hera e fundit ishte në vitin 2018, kur ai ishte president dhe përpiqej të arrinte marrëveshje paqeje me Serbinë”, tha Rubin.
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, e prezantoi dëshmitarin si një nga dërguarit më të lartë të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, i përfshirë në negociatat e Rambujesë dhe në procesin e demobilizimit të UÇK-së. Sipas tij, Rubin ka treguar se në Rambuje, Thaçi shprehej i shqetësuar për mungesën e autorizimeve për të nënshkruar në emër të UÇK-së.
Në seancën e sotme janë të pranishëm edhe përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit, ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli, si dhe familjarë të të akuzuarve, përfshirë djalin e Kadri Veselit.
Procesi gjyqësor, i cili nisi më 2023, ka hyrë tashmë në fazën e mbrojtjes. Seancat e provave do të zhvillohen deri më 14 nëntor 2025, ndërsa në këtë çështje janë të përfshira 155 viktima pjesëmarrëse.
Çështja: Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera mes viteve 1998–1999 në Kosovë dhe Shqipërinë veriore.