
Pas më shumë se pesë orësh në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arbër Veliaj, vëllai i kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, doli sot para mediave duke deklaruar se ishte paraqitur “vullnetarisht” për të dhënë sqarime mbi çështjen e të afërmit të tij.
Veliaj u thirr për të dëshmuar si person që ka dijeni mbi hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa sipas burimeve është pyetur edhe mbi marrëdhëniet e tij financiare me kunatën, Ajola Xoxa.
“Erdha vullnetarisht të sqaroj pozicionin tim,” u shpreh ai shkurtimisht para gazetarëve, duke shmangur komentet mbi pyetjet e drejtuara nga prokurorët.
Hetimet ndaj Arbër Veliaj kanë nisur që në dhjetor të vitit 2024, kur SPAK urdhëroi kontrolle në bizneset e tij dhe sekuestroi telefonin celular, si pjesë e dosjes që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës.
Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndodhen nën hetim për katër akuza të rënda, ndërsa në dosje janë përfshirë edhe familjarë, bashkëpunëtorë, biznesmenë, kompani e organizata jo fitimprurëse.
Së fundmi, avokatët e kryebashkiakut kanë kërkuar në Gjykatën e Posaçme pavlefshmërinë e disa akteve të dosjes, duke pretenduar shkelje të rënda proceduriale nga ana e SPAK.