
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti sot alarmin për zhdukjen e Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke e cilësuar ngjarjen si një akt tipik rrëmbimi nga struktura të lidhura me pushtetin.
Sipas Berishës, Shima, i shkarkuar në mënyrë të papritur nga Mirlinda Karçanaj një vit më parë dhe i përfolur për dijeni të thella mbi aferat e tenderave të AKSHI-t, u shfaq dje me një mesazh dramatik: “Po më arrestojnë”. Mesazhi iu dërgua partneres së tij rreth orës 13:30, duke ngritur dyshime serioze për përfshirjen e forcave të uniformuara apo grupeve të lidhura me pushtetin.
“Ky ishte një SOS i qartë,” tha Berisha, duke shtuar se heshtja tre-orëshe që pasoi derisa nëna e tij denoncoi zhdukjen në polici, është tregues i përfshirjes së vetë strukturave shtetërore.
Berisha aludoi se Shima mund të jetë mbajtur në bodrumet e bandës së Suel Çelës në Elbasan apo në tunelet e Surrelit pranë rezidencës së Edi Ramës. “Nuk mund të themi me siguri se ku përfundoi, por një gjë është e qartë: Shima u rrëmbye. Dhe ai shpëtoi vetëm falë atij instinkti që e shtyu të dërgonte mesazhin SOS,” deklaroi Berisha.
Duke paralajmëruar se ngjarja mund të kishte përfunduar si rastet e zhdukjes së Jan Prengës apo Ervis Martinit, Berisha e cilësoi rastin një provë të qartë të funksionimit të Shqipërisë si “narkoshtet” ku policia dhe bandat veprojnë në një trup të vetëm.