
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot me qytetarët kalendarin e vitit të ri shkollor 2025-2026, duke bërë të ditur datat e fillimit, pushimeve dhe mbylljes së shkollës për nxënësit e arsimit bazë dhe atij të mesëm të lartë.
Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, viti shkollor do të nisë më 8 shtator 2025 për të gjitha shkollat e arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të lartë. Për maturantët, pra nxënësit e klasave të 12-ta, mësimi do të përfundojë më 29 maj 2026, ndërsa për pjesën tjetër të nxënësve viti shkollor do të mbyllet më 12 qershor 2026.
Gjithashtu, kalendari përcakton edhe periudhat e pushimeve për nxënësit. Pushimet e dimrit do të zgjasin nga 22 dhjetori 2025 deri më 2 janar 2026, për të gjitha shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm të lartë. Ndërkohë, për arsimin bazë janë planifikuar edhe pushimet e pranverës, të cilat do të zhvillohen nga 30 marsi deri më 3 prill 2026.
“#GatiPërShkollë 👉🏼 Ja çfarë duhet të dini për vitin e ri shkollor 2025-2026 🗓️ 📚”, ka shkruar Rama në postimin e tij në rrjetet sociale, duke shoqëruar publikimin edhe me grafikët zyrtarë të kalendarit shkollor.
Ky njoftim u jep prindërve, mësuesve dhe nxënësve një orientim të qartë mbi zhvillimin e vitit të ri shkollor, duke përcaktuar që në fillim ditët e mësimit, pushimet dhe afatet e përfundimit.