
Qeveria italiane ka dhënë miratimin përfundimtar për një projekt ambicioz prej 13.5 miliardë euro, që synon të lidhë ishullin e Siçilisë me Kalabrinë përmes asaj që pritet të bëhet ura më e gjatë pezulluese në botë.
Sipas projektit të fundit, ura mbi ngushticën e Messinës do të ketë një gjatësi prej 3.3 kilometrash, do të mbështetet në dy kulla 400 metra të larta dhe do të përfshijë dy linja hekurudhore në mes dhe tre korsi për automjete në secilën anë.
Autoritetet thonë se ura, e cila do të ndërtohet në një nga zonat më aktive sizmike të Mesdheut, do të jetë në gjendje të përballojë tërmetet.
Ky është përpjekja më e fundit për të nisur projektin e diskutueshëm të Urës së Messinës, i cili është hedhur për herë të parë mbi 50 vite më parë, por që ka dështuar disa herë për shkak të kostove të larta, ndikimit mjedisor, sigurisë dhe frikës nga përfshirja e mafies.
Kryeministrja Giorgia Meloni e quajti projektin një “investim për të tashmen dhe të ardhmen e Italisë”, ndërsa ministri i Transportit Matteo Salvini shtoi se punimet do të përfundojnë mes viteve 2032 dhe 2033.
Salvini, i cili është edhe lider i partisë Lega, theksoi se projekti do të krijojë rreth 120 mijë vende pune në vit dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik në rajonet e varfra të Siçilisë dhe Kalabrisë, ndër më të pazhvilluarat në Europë.
Qeveria italiane shpreson gjithashtu që ura të klasifikohet si shpenzim ushtarak, duke ndihmuar kështu për të përmbushur objektivin e NATO-s për 5% të PBB-së në mbrojtje.
Kundërshtime dhe sfida të mëtejshme
Pavarësisht miratimit, projekti duhet ende të ratifikohet nga Gjykata e Llogarive dhe agjencitë mjedisore në nivel kombëtar dhe europian.
Banorët vendas në të dy anët e ngushticës, pronat e të cilëve mund të preken nga ndërtimi, do të konsultohen dhe kanë të drejtë të sfidojnë ligjërisht vendimin, gjë që mund të çojë në vonesa ose ndalim të punimeve.
Kritikat kanë ardhur edhe nga politikanë lokalë, të cilët e konsiderojnë projektin si të panevojshëm dhe përçarës. Senator Nicola Irto nga Partia Demokratike tha se ai do të tërheqë fonde nga sektorë të rëndësishëm si transporti lokal, shkollat dhe kujdesi shëndetësor.
Kryetarja e Bashkisë së Villa San Giovanni, Giusy Caminiti, paralajmëroi se ndërtimi i urës do të ndikojë rëndë mbi qytetin e saj, duke kërkuar më shumë kohë për konsultime publike.
Ndërkohë, komiteti “Jo urës” në Kalabri e cilësoi vendimin e qeverisë si një manovër politike, dhe jo si rezultat i një vlerësimi teknik të plotë. Ata gjithashtu paralajmërojnë se projekti do të kërkojë miliona litra ujë në ditë, ndërkohë që Siçilia dhe Kalabria përballen rregullisht me thatësira.
Aktualisht, i vetmi mënyrë për të kaluar ngushticën është me traget, që merr rreth 30 minuta për të transportuar trenat dhe automjetet nga njëra anë në tjetrën.