
Andy Byron, CEO i kompanisë amerikane të teknologjisë Astronomer, ka lëshuar një deklaratë publike ndjese pas një episodi personal të bërë viral në rrjetet sociale, i cili ka shkaktuar zhgënjim dhe reagime të shumta.
Në deklaratën e tij, Byron thotë:
“Dua të pranoj momentin që po qarkullon në internet dhe zhgënjimin që ka shkaktuar. Ajo që supozohej të ishte një natë muzike dhe gëzimi, u kthye në një gabim thellësisht personal që u shfaq në një skenë shumë publike.”
Ai i kërkon ndjesë bashkëshortes së tij, familjes dhe stafit të kompanisë që drejton, duke theksuar se nuk ishte ky imazhi që donte të transmetonte si partner, baba apo lider.
Bëhet fjalë për një video të regjistruar gjatë koncertit të Coldplay në Brooklyn, ku Byron u kap nga kamera në një situatë intime me një person tjetër që nuk është bashkëshortja e tij. Pamjet, që u publikuan fillimisht në TikTok dhe më pas u shpërndanë gjerësisht në X (ish-Twitter) dhe Reddit, janë bërë virale brenda pak orësh kur dhe u mësua identiteti i çiftit. Personi tjetër ishte shefja e burimeve njerëzore në kompaninë e tij.
Në deklaratën e tij, Byron shpreh shqetësimin për faktin që një moment privat u bë publik pa pëlqimin e tij:
“Respektoj artistët dhe argëtuesit, por shpresoj që të gjithë të reflektojmë më thellë për pasojat që sjell kthimi i jetës së dikujt tjetër në spektakël publik.”
CEO-ja shton se do të marrë kohë për të reflektuar dhe për të vendosur hapat e radhës si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale, duke kërkuar respektim të privatësisë në këtë periudhë.
Deklarata përmbyllet me një citim nga kënga “Fix You” e Coldplay:
“Lights will guide you home, and ignite your bones, and I will try to fix you.”
Ky incident vjen në një moment kur Astronomer, një nga kompanitë më të suksesshme në fushën e të dhënave dhe inteligjencës artificiale për përdorim industrial, po përgatitej për një raund të ri investimesh. Reagimet online ndaj deklaratës kanë qenë të përziera: disa vlerësojnë ndershmërinë dhe ndjesën publike, ndërsa të tjerë ngrejnë pyetje mbi qëndrueshmërinë morale të drejtuesve të kompanive të mëdha teknologjike.