Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të prerë për të gjithë ata që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin, si dhe për zyrtarët që bëjnë “sikur nuk shohin”. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama njoftoi se të gjitha ndërtimet me shkelje do të shemben ose do të konfiskohen nga shteti për funksione publike, duke paralajmëruar një fushatë të re kundër abuzimeve në territor.

“Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike”, shkruan Rama.

Ai theksoi se zyrtarët lokalë, si punonjës bashkie, inspektorë e drejtues policie, që mbyllin sytë përpara shkeljeve të ligjit, do t’i referohen prokurorisë për veprat penale përkatëse.

“Punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme”, paralajmëron kryeministri.

Rama bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të miratohet një reformë e re për kontrollin e territorit, me masa edhe më të forta administrative dhe penale ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës.

Në fund, ai përforcoi vizionin e qeverisë për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se abuzimet me territorin nuk kanë vend në Shqipërinë e vitit 2030 në BE.

“99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, përfundoi Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu