
Policia e Shtetit vijon zbatimin e planit të posaçëm të masave për ezonin turistik 2025 me fokus në garantimin e sigurisë, qetësisë dhe rendit në zonat turistike dhe urbane, garantimin e perimetrit të sigurisë në plazhe, parandalimin e ndotjes akustike, parandalimin e ndotjes së mjedisit si dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme.
Në kuadër të këtij plani, nga Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, falë koordinimit të punës me patrullat e rendit përgjatë vijës bregdetare, janë evidentuar gjithsej 16 raste të shkeljes së perimterit të sigurisë, 5 nga të cilat janë denoncuar edhe nga qytetarët, në rrjete sociale.
Për këto raste, nga Velipoja në Ksamil janë bllokuar 16 mjete lundruese (13 Jet Ski dhe 3 skafe) dhe drejtuesit e tyre janë ndëshkuar secili, me masën administrative 100 000 lekë.
Në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, janë sekuestruar 1230 komplete me çadra dhe shezlongë, nga Durrësi në Sarandë. Për këto raste janë proceduar penalisht 27 shtetas, për zënien e paligjshme të plazheve publike.
Gjithashtu, janë liruar 9 hapësira publike, 8 prej të cilave në Vlorë dhe 1 në Shkodër, që shfrytëzoheshin në mënyrë të paligjshme, kryesisht për parkim, kundrejt fitimit. Për këto raste janë proceduar penalisht 14 shtetas.
Në qendrat urbane, Policia Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, po vijojnë lirimin e trotuareve dhe të vijave të bardha të zëna nga automjete të parkuara në kundërshtim me ligjin. Janë ngritur me karrotrec, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, dhe janë bllokuar në pikat e bllokimit, 98 automjete dhe 34 motomjete që ishin parkuar në vijat e bardha apo në trotuareve.
Për ndotjen akustike, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet me aparatura matëse të certifikuara. Deri tani janë proceduar penalisht 15 shtetas, për tejkalim të kufijve të lejuar të zhurmës, kryesisht në zonat turistike. Gjithashtu, janë bllokuar në disa qytete, kryesisht në Tiranë dhe në Vlorë, 72 automjete dhe motomjete që gjeneronin zhurmë.
Janë evidentuar 11 raste të ndotjes së mjedisit tokësor dhe ujor, për të cilat janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar 9 të tjerë, në Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër./vizionplus.