Kryeministri Edi Rama ka shkaktuar lëvizje të forta në administratën vendore të Vlorës, pas një vizite që u shoqërua me kërkesa të qarta për dorëheqje dhe shkarkime në drejtuesit e bashkisë.

Burime për Ora News bëjnë me dije se pas këtij takimi, të gjithë drejtuesit e institucioneve në varësi i kanë paraqitur dorëheqjet kryebashkiakut Ermal Dredha, duke hapur rrugën për një riformatim të plotë të administratës lokale.

Për ta çuar përpara këtë proces, Rama ka ngritur dy grupe pune: i pari, ku bëjnë pjesë Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të merret me analizimin e performancës së drejtuesve rajonalë dhe vlerësimin e arritjeve të tyre. Sipas kryeministrit, ata që nuk e kanë justifikuar besimin do të largohen, ndërsa pasuesit e tyre do të kalojnë një periudhë prove prej tre muajsh për të treguar vlerat në punë.

Grupi i dytë, i përbërë nga Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të shqyrtojë emrat e rinj që do të zëvendësojnë drejtuesit aktualë të bashkisë së Vlorës.

Afati i vendosur nga Rama për këtë reformim është 15 korriku, ndërsa emrat e rinj pritet të dalin edhe nga propozimet e strukturave lokale të Partisë Socialiste në Vlorë.

Një takim të ngjashëm Rama zhvilloi një ditë më parë edhe në Tiranë, me drejtorët e bashkisë dhe deputetët socialistë të kryeqytetit, ku sipas burimeve nuk ka pasur të njëjtin nivel pakënaqësie, pasi kreu i qeverisë ka deklaruar se nuk ka ankesa për punën e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu