
Futbollisti portugez Diogo Jota humbi jetën në një aksident tragjik rrugor në orët e para të 3 korrikut 2025, në autostradën A-52 pranë Cernadillas, në provincën e Zamorës, Spanjë. Bashkë me të, ka ndërruar jetë edhe vëllai i tij, André Silva, 25 vjeç. Të dy po udhëtonin me një makinë tip Lamborghini kur, sipas hetimeve paraprake të Guardia Civil, automjeti ka pësuar një shpërthim të gomës gjatë një manovre për të kaluar një tjetër mjet, duke bërë që shoferi të humbiste kontrollin dhe makina të dilte nga rruga. Pas përplasjes, automjeti ka marrë flakë dhe është përfshirë nga një zjarr i fuqishëm, duke mos u dhënë asnjë mundësi shpëtimi viktimave.
Video e makines ne flake eshte publikuar ne mediat spanjolle.
View this post on Instagram
Sipas mediave spanjolle si Cadena SER, El País dhe Marca, emergjencat u njoftuan menjëherë nga drejtuesit e tjerë të automjeteve që panë ngjarjen. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta të zjarrfikësve, policisë dhe shërbimeve mjekësore, por fatkeqësisht nuk mundën të shpëtonin jetën e dy vëllezërve.
Diogo Jota ishte një nga sulmuesit më të rëndësishëm të Liverpoolit dhe kombëtares portugeze. Ai kishte shënuar 47 gola në 123 ndeshje me skuadrën angleze dhe 14 gola në 49 ndeshje me Portugalinë. Vetëm pak javë më parë, ai ishte martuar me partneren e tij, Rute Cardoso, dhe ishin prindër të tre fëmijëve.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur botën e futbollit. Klubi i Liverpoolit, Federata Portugeze e Futbollit, bashkëlojtarët dhe figura të njohura të sportit kanë reaguar me dhimbje, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke e cilësuar Jotën si “shumë më tepër se një futbollist”. Cristiano Ronaldo u shpreh se ishte një humbje pa kuptim dhe theksoi se vetëm pak ditë më parë kishin qenë bashkë në stërvitje me ekipin kombëtar.
Në nder të tij, janë paralajmëruar minuta heshtjeje në ndeshjet ndërkombëtare dhe një valë homazhesh në stadiume, përfshirë në “Anfield” ku tifozët e Liverpoolit kanë vendosur lule, qirinj dhe mesazhe lamtumire. Gjithashtu, është propozuar që fanella me numrin 20 të tërhiqet zyrtarisht nga qarkullimi si nderim për jetën dhe karrierën e tij.
Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim, ndërsa Spanja dhe Portugalia po përjetojnë një nga lajmet më të rënda që ka prekur botën e sportit në vitet e fundit.