
Në përgjigje të situatës alarmante të zjarreve që kanë përfshirë jugun e Shqipërisë, Forca Ajrore ka intensifikuar ndjeshëm monitorimin ajror, duke vendosur në funksion kapacitetet më të avancuara të vëzhgimit me dronë.
Droni Bayraktar TB2, i nisur nga Baza Ajrore e Kuçovës, po siguron mbulim të pandërprerë ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale të dhëna të detajuara mbi përhapjen dhe drejtimin e flakëve. Këto informacione po shërbejnë për:
- Parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarreve,
- Ndërhyrjen e menjëhershme të helikopterëve dhe forcave tokësore në pikat më të rrezikuara,
- Sinjalizimin e strukturave ligjzbatuese, kur evidentohen raste të zjarrvënieve të qëllimshme.
Falë këtij monitorimi të përqendruar dhe teknologjisë së përparuar, Forca Ajrore po luan një rol kyç në menaxhimin e krizës, duke kontribuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit natyror.
Autoritetet vijojnë të jenë në gadishmëri të plotë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore, duke raportuar çdo sinjal rreziku apo zjarrvënie të dyshuar.