
Ndërsa murtaja po përhapet mes bagëtive të imta në disa qarqe të vendit, qeveria vazhdon të bëjë atë që di më mirë: të mos bëjë asgjë. Me këtë mesazh, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas hekurave të qelisë, duke e cilësuar situatën si “një katastrofë për blegtorinë shqiptare”, e cila sipas tij është lënë në mëshirë të fatit – një fat që nuk përfshin subvencione, as vaksina, por plot premtime.
Meta nuk i kurseu akuzat për qeverinë, duke e përshkruar këtë neglizhencë si pjesë e një “strategjie të qëllimshme shkatërrimi”.
“Me vetëm 3 euro mund të blihen 100 doza vaksine,” shkruan Meta, “ose me 30 mijë euro – më pak se çmimi i një shisheje vere që Kryerilindasi pi për të shuar etjen ideologjike – mund të shpëtohej një sektor i tërë.”
Në stilin e tij të njohur, Meta vazhdon: “Tufa të tëra, stane, ferma të ndërtuara me mund e sakrificë, po rrezikojnë të shfarosen. Jo nga ndonjë armik i jashtëm, por nga armiku më i rrezikshëm: papërgjegjshmëria.”
Një tjetër sektor jetik që, sipas Metës, po ndjek rrugën e shpopullimit: drejt shuarjes së heshtur, nën hundën e një shteti që shfaq më shumë kujdes për reklamën e propagandës sesa për shëndetin e tufave.