
Të dhënat mbi fatin e ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad janë kontradiktore pas raportimeve për një tentativë për vrasje ndaj tij në Teheran. Sipas burimeve të ndryshme iraniane të cituara nga portali News.Az, një atentat ndaj makinës së tij u shmang në çastet e fundit nga forcat e sigurisë personale.
Megjithatë, mungesa e konfirmimeve zyrtare nga familja e Ahmadinejad apo nga autoritetet iraniane ka rritur konfuzionin dhe spekulimet. Në rrjetet sociale po qarkullojnë pretendime të pakonfirmuara se Ahmadinejad është plagosur rëndë ose është vrarë, por deri tani nuk ka asnjë provë për këto pohime.
Një përdorues në X (ish-Twitter) shkruan:
“Ku është Mahmoud Ahmadinejad? Ai s’ka postuar që nga prilli.”
Tentativa për vrasjen e tij ndodh ndërsa konflikti Iran-Izrael është përshkallëzuar ndjeshëm, me më shumë se 450 viktima në Iran sipas raportimeve të organizatave të të drejtave të njeriut. Izraeli pretendon se ka vrarë komandantin e lartë Ali Shadmani në zemër të Teheranit, vetëm katër ditë pasi ishte vrarë edhe paraardhësi i tij, Gholam Ali Rashid.
Në këtë klimë tensioni ekstrem, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të kanë “kontroll të plotë të hapësirës ajrore mbi Iranin” dhe e dinë ku ndodhet lideri suprem Ali Khamenei, por nuk do ta “eliminojnë – të paktën jo tani”. Në një tjetër postim sfidues, ai ka kërkuar “dorëzim të pakushtëzuar” nga Irani.
Ndërkohë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi:
“Sot do të godasim objektiva shumë të rëndësishëm në Teheran. Banorët duhet të evakuohen.”