Laç, 13 qershor 2025 – Me mijëra besimtarë nga çdo cep i Shqipërisë, e deri nga diaspora, kanë kaluar natën pranë Kishës së Shna Ndout në Laç, në mbyllje të pelegrinazhit të 13 të martave. Kjo traditë e rrënjosur thellë në besimin popullor përmbyllet çdo vit në datat 12 dhe 13 qershor, duke e shndërruar këtë vend të shenjtë në një pikë takimi të shpresës dhe përkushtimit.

Prej orëve të para të mëngjesit të së enjtes,pelegrinët i janë drejtuar kodrës së Laçit për të kërkuar ndihmë hyjnore, për të bërë lutje për shëndet, mbarësi, apo për të falënderuar shenjtin për ndërmjetësimin e tij. Një pjesë e madhe e besimtarëve kanë qëndruar gjithë natën pranë kishës, të bindur se vendi sjell bekime dhe, sipas tyre, edhe mrekulli.

“Lutemi për gjithçka. Kemi dëgjuar dhe për mrekulli,” tha një besimtare për mediat.

Një tjetër besimtare, e ardhur nga Durrësi, rrëfeu: “Kam ardhur për lutje, për fëmijët, për familjen, për të gjithë besimtarët, për ata që janë brenda dhe jashtë vendit. Kam shumë besim te ky vend, vetëm të mira më ka sjellë. Nuk jemi lart, lart po jemi lart se jemi shëndosh, jemi mirë.”

Ndërsa një besimtar tjetër, me zë të qetë dhe lutje në zemër, shtoi: “Të jemi të gjithë mirë bashkë me kalamajtë dhe njerëzit tanë. Të kemi shëndet. Në këtë natë të shenjtë.”

Kryeipeshkvi i Kishës Katolike, imzot Arjan Dodaj, e quajti këtë një natë të veçantë:
“Është një natë e madhe për mua, dhe dëshiroj të jetë një natë e madhe për çdo shqiptar. Për herë të parë kam ardhur këtu 35 vite më parë, më 12 qershor 1990 – ishte ngjarja e parë e madhe fetare pas dekadash ndalimi. Sot rikthimi këtu është një ngushëllim i jashtëzakonshëm.”

Pelegrinazhi i 13 të martave në Kishën e Laçit është ndër ngjarjet më të rëndësishme fetare në vend. Çdo javë, për 13 javë radhazi, besimtarët ngjiten në këtë vend të shenjtë, dhe kulmi arrin në mbrëmjen e 12 qershorit dhe ditën e 13-ës, që përkujton Shna Ndoun.

Tradita shekullore vazhdon të jetojë përmes zërit të atyre që ngjisin shkallët e kishës me besim, me lutje e me shpresë se edhe këtë vit, “Shna Ndou do t’i ndihmojë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu