Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha informoi sot mediet mbi vizitën e tij në Bruksel ku sipas tij, denoncoi farsën elektorale të 11 majit.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se në Bruksel demaskoi farsën zgjedhore në të gjitha dimensionet e saj.

“Kurrë ndonjëherë në 34 vite, Brukseli nuk ka qenë më shqiptar se, sa ato dy ditë të javës së kaluar. E marta dhe e mërkura e javës ishin ditët në të cilat në tempullin e demokracisë u mbrojtën interesat jetike të shqiptarëve, vota e lirë e tyre dhe u bë pretenca ndaj Edi Ramës, farsës elektorale, mandateve kallp”, tha Berisha.

Berisha theksoi se në Bruksel mbrojti interesat më jetike të votës së lirë, të dinjitetit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

“Ishin ditë të cilat i dhanë një rrjedhë të re shpresës dhe besimit se, shqiptarët do të votojnë të lirë si kombet e tjera. Në Bruksel u theksua se krimi në Shqipëri i lidhur me politikën, pengon rotacionin dhe nuk lejon ndryshimin e pushtetit”, tha Berisha.

Berisha shprehu po ashtu mirënjohjen më të madhe ndaj PPE-së, presidencës së kësaj partie, “e cila me gojën e sekretares së Përgjithshme në një deklaratë, denoncoi farsën elektorale në Shqipëri si një akt i shëmtuar”.

“Falënderoj me mirënjohje të thellë, kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i cili me udhëheqjen e tij e shndërroi këtë institucion në një avokat të fuqishëm të të vërtetave të mëdha. Një mirënjohje të pakufishme për koordinatorin e grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Europian, Michael Gahler, europdeputet që u paraqiti kolegëve të tyre si në Komisionin e Jashtëm ashtu dhe në asamblenë politike, të gjithë të vërtetën e farsës elektorale në Shqipëri. Dënoi me të forcën më të madhe këtë farsë, dhe u bë një avokat, një zë i fuqishëm, i pamposhtur i interesave të shqiptarëve për votën e lirë”, tha Berisha.

Berisha siguroi se “këto janë vetëm hapat e parë, se kurrë kjo farsë nuk do përligjet, kurrë kjo farsë nuk do të njihet”./atsh

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu