
Erion Alibej tashmë është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë dhe mesa duket po hedh dritë në vrasje të bujshme në qytetin e Elbasanit. Në sallën e gjyqit pak ditë më parë, Alibej ka folur për vrasjen e avokatit Ravik Gurra rreth 6 vite më parë.
Erion Alibej hedh dyshimet se pas kësaj ngjarjeje fshihet Suel Çela. Ky i fundit i shumëkërkuar nga SPAK si kreu i një organizate kriminale dhe i përfshirë në ngjarje të shumta.
Erion Alibej zbardhi një bisedë me Suel Çelën në një kohë kur vetë Alibeaj interesohej për të mësuar kush ia vrau vëllain Endritin dhe xhaxhain Arben Dylgjeri.
“I thash Suelit që një nga gjuajtësit është ushtari jot, një shkodran që thirrej “Naqo”. Sueli i shkroi direkt atij. Pastaj në bisedë i thash ‘po më avokat Ravikun ça patët’(?) Më tha ‘i futi hundët shumë tek “Maçi” (Klodian Çopja)’, kam fol shumë aty me Suelin dhe më garantoi se janë Çopjat pas asaj që më ndodhi.”-deklaroi Alibej.
Për vrasjen e Ravik Gurrës ende s’ka një të akuzuar. Deklarata e Erion Alibej ka vënë në lëvizje SPAK për të siguruar prova për të gjetur kush janë ekzekutorët e avokatit Ravik Gurra.
I penduari i drejtësisë, një nga eksponentët më të rëndësishëm të krimit në Elbasan, Erjon Alibej ka treguar në Gjykatën e Posaçme një episod të ndodhur vite më parë kur i ekzekutuan me armë vëllanë, xhaxhain dhe kunatin.
Gjatë dëshmisë, Alibej ka thënë se në periudhën kur ka ndodhur krimi, në krye të Policisë së Qarkut kanë qenë Altin Qato e Niko Brahimaj, të cilët e kanë shoqëruar për ta pyetur se te kush dyshonte për vrasjen e trefishtë dhe më pas e kanë lënë të lirë.
Erjon Alibej ka deklaruar se edhe përse ishte në kërkim, kreu i policisë së ELbasanit dhe shefi i krimeve e kishin shoqëruar për t’i marrë deklarimet dhe i kishin premtuar se do ta linin të lirë të përcillte për në banesën e fundit familjarët e tij. Dhe në fakt ashtu ka ndodhur.
“Edhe pse më vinin fjalë për vëllezërit Çopja, prapë s’i besoja. Më ka ardhur dhe familja e Suelit, ushtarë të tyre, ndër to dhe “Nino”, bisedova dhe me Suelin dhe më tha rri i qetë, se do dalë e vërteta, shyqyr s’ke qenë dhe ti në makinë. I thashë, po kush ka gjujt?
Ditën që çova familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato, më vijnë policët dhe donin të flisnin me mua, ndërkohë unë isha në kërkim. Niko Brahimaj ishte tek Krimet e Rënda, më thanë hajde të deklarosh dhe do të lirojmë sërish, të jesh afër familjes. Shkova, ishte Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit, që e dija që ishte i shitur tek Suel Çela.
I thashë nuk e dua këtë këtu, e nxorën jashtë, më thanë e dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion te kush dyshon. I thashë do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektiv, nuk di ku t’ju drejtoj, siç ma dhanë fjalën që do përcillja familjarët në banesë, më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë, ‘bën mirë të ikësh nga ky qytet’”, ka thënë Erjon Alibej./Tema