Tiranë, 20 maj 2025 – Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit, duke e cilësuar atë si “një nga momentet më të errëta të demokracisë shqiptare” dhe duke akuzuar qeverinë për “kapje të shtetit dhe terror ndaj opozitës”.

“Këto nuk ishin zgjedhje. Kjo ishte një farsë e turpshme elektorale, më e turpshmja në 32 vite pluralizëm,” deklaroi Berisha gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij. “Më 11 maj ndodhi një gjëmë e madhe për demokracinë shqiptare.”

Sipas tij, në këto zgjedhje, e gjithë administrata shtetërore është vënë në funksion të Partisë Socialiste, duke ushtruar presion ndaj qytetarëve dhe duke përdorur çdo mjet për të ndikuar në rezultatin elektoral. “Shteti u zhvesh lakuriq në shëmtinë e tij. U përdorën nëpunës, u shpërndanë para, u ushtrua presion psikologjik dhe fizik, u përdorën bandat,” tha ai.

Berisha akuzoi edhe drejtësinë dhe Prokurorinë e Posaçme (SPAK), të cilën e quajti “Skapi i partisë”, për mungesë reagimi ndaj krimeve zgjedhore dhe për “shërbim ndaj interesave të mazhorancës”.

“E pamë të gjithë se si Skapi i Dumanit heshti para dhjetëra padive, para bandave që vepronin lirshëm, ndërkohë që liderët e tre partive kryesore opozitare u burgosën. Ky është një akt i pastër terrori politik,” u shpreh Berisha.

Në fjalën e tij, ai iu referua dokumentit të Kopenhagenit, duke theksuar se Shqipëria ka detyrime për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe trajtim të barabartë të të gjitha forcave politike.
“Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të barabarta. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Edi Rama shpërndau qindra milionë euro për të blerë vota: koncesione, gjoba të falura, bonuse fiktive – të gjitha për një qëllim të vetëm: manipulimin e vullnetit qytetar,” deklaroi Berisha.

Në përmbyllje, ai krahasoi situatën aktuale me zgjedhjet e manipuluara të Zimbabvesë gjatë regjimit të Mugabe-s.
“Një mik i imi që ka vëzhguar zgjedhjet në Zimbabve më tha: ‘Nuk ma priste mendja që në vitin 2025 të shihja të njëjtat praktika në Tiranë.’ Dhe kishte të drejtë,” përfundoi Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu