Fier – Një operacion i koordinuar mes Policisë së Fierit, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale pranë Departamentit të Policisë Kriminale dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, ka çuar në arrestimin e një 27-vjeçari që mbante peng dhe ushtronte dhunë ndaj bashkëjetueses së tij italiane.

Operacioni i koduar “Fast Reaction” u zhvillua pas sinjalizimit nga autoritetet italiane se një shtetase e tyre mbahej në mënyrë të paligjshme në një banesë në fshatin Cakran, Fier. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të mbështetura nga forcat operacionale dhe nën koordinimin e strukturave italiane të sigurisë, ndërhynë me shpejtësi në vendngjarje.

Gjatë operacionit, policia arrestoi shtetasin A. I., 27 vjeç, i cili u kap në tentativë për t’u larguar me një automjet të marrë me qira. Ky shtetas rezulton me precedent të mëparshëm penal për dhunë në familje dhe vjedhje.

Shtetasja italiane, e cila mbahej në banesë kundër dëshirës së saj dhe ishte viktimë e dhunës, u shpëtua dhe iu dorëzua autoriteteve të Konsullatës Italiane në Shqipëri. Ajo ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Materialet procedurale në lidhje me këtë rast janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, nën akuzën për veprën penale “Dhuna në familje”.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu