Tiranë, 30 prill 2025 – Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht ndërhyrjen e SPAK për të hetuar rolin e kompanisë postare DHL në procesin e votimit të diasporës, duke paralajmëruar një padi në rast të mosveprimit të autoriteteve. Në një konferencë për mediat, e deleguara politike për Diasporën, Jozefina Topalli, dhe përfaqësuesi ligjor në KQZ, Franc Nuri, denoncuan një sërë shkeljesh.

“Presim nga SPAK të hetojë. Ne do të bëjmë padi në të kundërtën,” deklaroi prerazi Franc Nuri, duke përmendur raste konkrete ku individë në Greqi pretendojnë se kanë pasur marrëveshje me DHL për të tërhequr e kthyer dhjetëra zarfe votimi, një praktikë që, sipas tij, përbën shkelje të rëndë të ligjit zgjedhor.

Sipas PD-së, problematikat nisin nga vonesat në shpërndarje dhe gabimet në adresim, deri te dërgesa të paautorizuara dhe cenimi i votës së fshehtë. Nuri nënvizoi se ka raste kur zarfi është lënë te dera, në oborr, apo edhe në kazanë mbeturinash, ndërsa në raste të tjera janë dërguar zarfa bosh ose me materiale të paplota.

Një ndër shqetësimet më serioze ishte edhe cenimi i të dhënave personale: “Ka pasur raste kur pas dorëzimit të zarfit nga DHL, votuesit janë kontaktuar nga Partia Socialiste. Kjo ngre dyshime të forta për keqpërdorim të të dhënave,” theksoi Topalli.

PD theksoi gjithashtu se mungesa e kontrollit nga KQZ ndaj nënkontraktorit DHL është e papranueshme dhe se gjithë ky proces bie ndesh me standardet e OSBE/ODIHR dhe me parimet e votimit të lirë e të ndershëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu