
Policia ka vënë në pranga 3 autorët e grabitjes me dhunë të ndodhur dy ditë më parë (28 prill) në banesën e një të moshuari në Lezhë.
Të arrestuarit janë Keviljano Ndoj, Andi Sanco dhe Lorenc Lleshi.
3 hajdutët vodhën me dhunë 1500 dollarëve, 880 eurove, 50 000 lekëve dhe 1 arme gjahu, në banesën e 66-vjeçarit.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera menjëherë pas telefonatës për vjedhje me dhunë, në banesën e një 66-vjeçari, në fshatin Gajush, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, zbardhën dinamikën e rastit dhe arrestuan autorët e dyshuar.
Konkretisht, në kuadër të operacionit “Telefonata”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit K. N., 22 vjeç, banues në Mirditë (me precedent penal), A. S., 21 vjeç, banues në Korçë dhe L. Ll., 22 vjeç, banues në Tiranë (u kap nga shërbimet e PKK Muriqan, në dalje).
Nga hetimet dyshohet se 3 shtetasit janë implikuar në vjedhjen me dhunë të 1500 dollarëve, 880 eurove, 50 000 lekëve dhe 1 arme gjahu, në banesën e një 66-vjeçari, në fshatin Gajush, kryer në orët e para të mëngjesit të datës 28.04.2025.
Në vijim të operacionit, nisi procedimi në gjendje të lirë, për babanë e shtetasit K. N., shtetasin Gj. N., 50 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.