Romë, 27 Prill —Bazilika e Santa Maria Maggiore në Romë është kthyer këto ditë në një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit për besimtarët katolikë nga e gjithë bota. Sot, që në orët e para të mëngjesit, rreth 30 mijë persona kanë vizituar varrin e Papës Françesku, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Lajmin e bëri të ditur prefekti i Romës, Lamberto Giannini, gjatë një konference për shtyp pranë info point-it të Via della Conciliazione.

“Santa Maria Maggiore është kthyer në një vend edhe më të vizituar se zakonisht. Vetëm sot kemi regjistruar mbi 30 mijë pranë varrit të Papës. Dashuria e romakëve dhe e të gjithë besimtarëve për Françeskun është jashtëzakonisht e dukshme. Po bëjmë çdo përpjekje për të garantuar rendin dhe pritjen e të gjithëve,” tha Giannini, duke nënvizuar rritjen e jashtëzakonshme të vizitave krahasuar me ditët e mëparshme.

Një zgjedhje historike: pse Papa Françesku u varros në Santa Maria Maggiore
Varrosja e Papës Françesku në Bazilikën e Santa Maria Maggiore është një vendim me rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore. Është hera e parë pas shumë shekujsh që një Papë nuk varroset brenda Vatikanit, por në një tjetër vend të shenjtë në Romë. Ky akt pasqyron edhe thjeshtësinë dhe afërsinë me popullin që karakterizoi gjithë papatin e Françeskut.

Santa Maria Maggiore kishte një vend të veçantë në zemrën e Papës Françesku: ishte bazilika ku ai lutej gjithmonë para dhe pas udhëtimeve të tij apostolike dhe ku shpesh kryente vizita private për t’u lutur para ikonës së “Shën Marisë Shpëtimtare të Popullit Romak” (Salus Populi Romani).

Vendimi për të mos u varrosur në sheshin tradicional të Vatikanit, pranë Bazilikës së Shën Pjetrit, u mor në respekt të vullnetit të tij të fundit, për të qëndruar sa më pranë popullit dhe për të vijuar edhe në vdekje rrugën e përvujtërisë që ndoqi në jetë.

Një fluks që pritet të rritet
Autoritetet e Romës presin që numri i vizitorëve të rritet edhe më shumë gjatë fundjavës dhe ditëve në vijim, teksa besimtarë nga e gjithë bota pritet të vijnë për të nderuar kujtimin e Papës që la gjurmë të thella në historinë e Kishës me përulësinë, guximin dhe thirrjet e tij për drejtësi sociale, paqe dhe kujdes ndaj të varfërve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu