Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur të bindur se subjekti i ka votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë së re. Por derisa i janë drejtuar Kuvendit për regjistrimin si deputetë të legjislaturës së nëntë, ata nuk kanë treguar se nga kush do të përkrahen. E në AAK e kanë përjashtuar bashkëpunimin me LVV-në, edhe nëse për këtë pranojnë ftesë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do t’i përgjigjet çfarëdo ftese të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për takime e bashkëpunime, ka thënë të enjten anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Ahmet Isufi.

Ai ka theksuar se subjekti i tij politik vazhdon të jetë në kontakt me partitë e tjera që deri më tash kanë qenë në opozitë e të cilat do të jenë të përfaqësuara në Kuvendin, teksa ka shtuar se Kosova meriton një qeveri tjetër.

“AAK-ja nuk ka pranuar ftesë, por edhe sikur të pranonte nuk do t’i përgjigjej për shkak të raporteve të krijuara qysh më herët dhe konsiderojmë që opozita duhet ta krijojë qeverinë, sepse sjellja e kësaj qeverie për një mandat ka treguar që nuk meriton të vazhdojë… Ne kemi qenë dhe jemi në kontakt me PDK-në, LDK-në dhe parti të tjera të cilët e përbëjnë Parlamentin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Në mungesë të votave të nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë, LVV-ja ditë më parë i ka drejtuar ftesë për takim Lidhjes Demokratike (LDK), por ajo është refuzuar nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, as të enjten nuk ka treguar nëse do të ftojë për takime konsultative edhe partitë e tjera. Në PDK dhe në Nismën Socialdemokrate nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse kanë pranuar ftesa nga LVV-ja.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë të enjten se votat që kjo parti i ka do të dihen në seancën plenare të 15 prillit për konstituimin e Kuvendit. Por ai ka theksuar se shpreson që ftesë për takim të mos i jetë dërguar PDK-së.

“Nuk jam i vetëdijshëm dhe shpresoj që nuk i ka shkuar kjo ftesë”, ka thënë ai.

Tek e kanë bërë regjistrimin si ligjvënës, deputetë të LVV-së janë shprehur të bindur se subjekti i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, porse nuk kanë shpalosur hollësi se si janë siguruar ato.

“Patjetër që po (i kemi numrat e qeverisë). 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar deputeti i LVV-së dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

E deputetja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka theksuar shkurt se dihet se “kush do ta formojë qeverinë më 15 apo më vonë”.

Ndërkaq deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se Qeveria Kurti 3 do të formohet.

“Unë e di që kryeministër do të jetë Albin Kurti prapë dhe Qeveria Kurti 3 do të formohet. Kjo bëhet sigurisht nëse i kemi numrat. E unë besoj që i kemi”, ka thënë ajo.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit LVV-ja ka dalë e para dhe ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Për konstituimin e Kuvendit dhe votimin e suksesshëm të qeverisë nevojiten së paku 61 vota.
Seanca e legjislaturës së nëntë është caktuar për të martën e 15 prillit, derisa kryeministri në detyrë ka shprehur synimin që në të njëjtën ditë të formohet edhe qeveria./Koha Ditore

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu