Kryesocialisti Edi Rama mblodhi në selinë rozë kandidatët për deputetë të PS për Qarkun e Tiranës. Të pranishme ishin edhe dy drejtueset e qarkut, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, të cilat janë në listën e mbyllur të Tiranës.

Rama tha se më 11 maj synojnë 1 milionë vota për siglën e PS, ndërsa theksoi edhe njëherë se ky është një moment zgjedhor me peshë gjeopolitike, pasi nuk duhet humbur dritarja që Shqipërisë i është hapur për në BE.

“Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve dhe shqiptarëve që me votën e diasporës mund të shkojmë afro 1 milionëshit. E pamundur të mos mendojmë dhe të mos përpiqemi që këtë forcë t’ua vëmë në dispozicion të gjithëve”, tha Rama.

Në fjalën e tij Rama theksoi se me hyrjen në BE Shqipëria do të bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria.

“Kudo ku një shqiptar me pasaportën e BE do të gjendet dhe do të ketë nevojë për ndihmë dhe nuk do të ketë pranë ambasadë të Shqipërisë, ambasada më e afërt e BE do të jetë në dispozicion. Me hyrjen tonë në BE, Shqipëria bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria. Siç shkojmë nga Shkodra në Korçë me të njëjtën lehtësi, do të shkojmë nga Portugalia në Poloni, nga Shqipëria në Suedi. Pra, ndryshon komplet perspektiva. Këto janë zgjedhjet e 11 Majit në thelb. Për këtë arsye duhet të bëjmë çmos që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të mirë të të gjithë kësaj historie fitoresh, duhet të marrim fitoren me notën 10 duke filluar nga Tirana, ku qielli duhet të jetë kufiri. Llogaritë aritmetike nuk vlen në këto zgjedhje, por vlen llogaria e shqiptarëve në të shkuarën me të ardhmen. Na duhen 1 vit e gjysmë, jo më shumë, për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe për të përmbyllur gjithçka. Dhe më pas vetëm parlamentet e vendeve të tjera që do të jenë ngjarje historik më vete, ku çdo parlament do të votojë që të jetë anëtare e BE dhe do të çohet në këmbë të duartrokasë Shqipërinë.”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama përsëriti se Shqipëria nuk mund ta humbë trenin për të hyrë në BE.

“Asnjëherë si sot kjo nuk ka qenë diçka konkrete dhe aktuale, është hapur një dritare që nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë por që rrethanat e brendshme të Evropës e kanë hapur, dhe ato janë përputhur me rrethanat tona të brendshme, ku si rezultat i arritjeve dhe përpjekjeve, ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë moment. Ky është një nga ato momente ku treni i historisë kalon për para nesh dhe duhet të jemi të vetëdijshëm që treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion. Nuk rri pafundësisht sepse e tillë është mënyra se si zhvillohet historia dhe në varësi nga lidershipi dhe kapaciteti i klasës politike, vendi e kap trenin ose e humbet. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren.”, tha Rama.

Sipas Ramës, BE është një vlerë e shtuar financiare për vendin, pasi Shqipëria do të jetë një nga vendet që më shumë do të përfitojë sesa do të kontribuojë në Bllok. Ai u ndal edhe te punët e vendit dhe premtoi se brenda mandatit të katërt do të jetë ezauruar çështja e ujit të pijshëm.

“BE ndër të tjera nuk është vetëm çështje lirish dhe të drejtash. Është një çështje e lidhur me ekonominë dhe rritjen e mirëqënies. Disa e thonë që kush është në BE po heq keq. Muhabet kot. Të gjitha problematikat e BE-së janë problematika që do donim të kishim, në vend që të kishim problematikat që kemi trashëguar. Të gjithëve u duhet thënë, që BE-ja është një vlerë e shtuar financiare për Shqipërinë. Ne në 10 vjet kemi marrë nga BE si mbështetje pak më shumë se 1 mld euro, duke hyrë ne BE çdo vit do të marrim më shumë se 1 mld euro. Për të mos folur për rininë, teknologjinë, sepse në BE hyjmë në një familje ku ka të rritur dhe ku ka të vegjël, ku ka vende të mëdha dhe të zhvilluara dhe ku ka vende më të vogla dhe më pak të zhvilluara. Janë përfituesit dhe kontibuesit. Ne do të hyjmë te kategoria e përfituesve. Do marrim nga BE shumë më tepër se ç’do kontribuojmë. Të mirat që burojnë nga të qenit në BE janë shumë të mëdha. Fokusi te BE është kaq i rëndësishëm sa bëhet çështje themelore e një fushate elektorale. Kemi dhe shumë gjërat të tjera për të thënë, duke filluar nga uji i pijshëm. Katër zona urbane kishte Shqipëria me ujë të pijshëm kur ne morëm mandatin, tani ka 43 urbane dhe 98 rurale. Janë 11 zona të tjera që janë në kantier. Brenda mandatit të katërt do të jetë ezauruar kjo çështje.” shtoi ai

Rama tha se janë zgjedhjet më historike nga ’91 e këtej sepse janë për të konfirmuar që Shqipëria bëhet pjesë e një sistemi të ri ndërkombëtar.

Kryeministri Edi Rama, në mbyllje të fjalës së tij para kandidatëve për deputetë të qarkut të Tiranës, tha se PS iu ka dhënë mundësinë të gjithëve që t’i bashkohen. Ai përmendi Halit Valterin, për të cilin tha se nuk vinte pranë PS për inat, por kur e njohu, nuk iu nda më.

“Nuk ka asnjëherë dot një skuadër perfekte. Besoj se është e qartë për të gjithë që PS, iu ka dhënë mundësinë, deri edhe ballistëve, që të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë. Kemi një ballist këtu, Halit Valteri, që kur na njohu nuk na u nda më. Vinte afër nesh nga inati i atyre por pak nga pak kuptoi se nuk është çështje inati, por më tepër se kaq. Shansi i tyre i fundit për të dalë nga këneta sepse kur të hyjmë në BE, fjala Ball Kombëtar do të jetë thjesht një episod historik. Shko edhe thuaju të tuve hajdeni këtu se mbetët në kënetë. Hudhër më të mirë në një shtëpi politike sesa të kesh një ballist në fasadë nuk ka. “

Kryeministri Edi Rama, në takimin me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, për opozitën shtoi se ka përballë forca të cilët kërkon votën për të përmbysur gjithçka që është arritur.

“Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani. Barazia para ligjit dhe ndërtimi i institucioneve që bëjnë dallimin midis vendeve nuk janë diçka që janë e garantuar nëse ne nuk jemi pjesë e BE. Prandaj kjo është themelore. Nga ana tjetër, po kaq konkrete është mundësia që çdo shqiptar të pajiset me pasaportën evropiane të Shqipërisë. Dëgjoja disa që thoshin nëpër komente që shi tani e la Evropën dhe tani do të na japë pasaportën. Pasaportën e BE buron nga hyrja në BE dhe ne duhet të bëhemi anëtarë që të bëhemi anëtarë. Marrja e pasaportës për çdo shqiptar është moment transformimi i jetës së tij. Pasaporta i jep më në fund atë që s’e ka pasur kurrë, dinjitetin e barabartë me këdo tjetër në diellin e përbashkët të Evropës. I jep statusin e barabartë dhe mundësinë që kurrë më të mos shihet qytetar/e e dorës së dytë. I jep të gjithë fëmijëve të studiojnë në vendet e BE si shtetas të BE dhe jo si studentë të huaj.”, tha Rama.

Në takimin me kandidatët e PS për deputetë për qarkun e Tiranës, Rama foli edhe për 5 opozitarët që iu bashkuan PS.

“Me e rëndësishme është skuadra, ne kemi një skuadër që sot u jep të gjithëve me mundësinë të zgjedhin. Kemi një skuadër ku të gjitha moshat, të dyja gjinitë, por në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat kanë mundësi të gjejnë veten dhe të votojnë për veten, ashtu sikundër si asnjëherë më parë PS ka një skuadër ku edhe më të rinjtë janë të mirë përfaqësuar, por ndryshe nga herët e tjera ka edhe një karakteristikë të re, të shumë pritur për mua personalisht, që

Në skuadrën e 11 majit ne kemi në ekipin tonë edhe një përbërje domethënë nëse të atyre që kanë kapërcyer nga një anë në tjetrën. Janë me ne pasi kanë parë se sa palidhje, e kotë është të besosh se mund të vijë diçka e mirë për vendin duke dalë e kërkuar vota për ata që janë përballë nesh. Është i mirëpritur nga ne, pasi PS është shumë e me gjerë se perimetri i anëtarësisë së vetë. Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve. Që me votën e diasporës mund të shkojë gati në 1 milion vota. Pavarësisht dallimeve që mund të kemi për pikëpamjet tona lidhur me një çështje apo një tjetër, në fund ne duhet të jemi të gatshëm që PS t’ia vëmë në dispozicion të gjithë atyre që duan të bashkohen.”deklaroi ai

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu