Në kuadër të operacionit të SPAK është arrestuar në Belgjikë, Mario Çela, vëllai i Suel Çelës. Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala.

Ndërkohë pokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka publikuar këtë të martë njoftimin zyrtar në lidhje me mega-operacionin e ndërmarrë në Elbasan, ku u godit një organizatë kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine.
Rrjeti kriminal kishte bazën në qytetin e Elbasanit e shtrihte aktivitetin e tij në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikën Latine. Sipas SPAK kjo organizatë kriminale drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim nga organet ligjzbatuese.

yacht hotel sarande

Hetimi, i mbështetur në komunikimet e koduara SKY/ECC dhe në veprime të tjera hetimore, ka çuar në lëshimin e masave të sigurisë për disa individë, përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar të lartë të policisë dhe një ish-gjyqtar.

Ish shefi i krimeve të Komisariatit nr. 6 në kryeqytet Dedan Gjoni, ish-gjytari Zihni Shahu, si dhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, akuzohen nga SPAK se kanë ndihmuar organizatën me veprime aktive në funksionet e tyre publike.

Ky operacion ka zbardhur gjithashtu dy ngjarje të rënda: atentatin ndaj Ardian Çapjas në vitin 2020 dhe vrasjen e Bledar Muçës në Belgjikë. Prekë Kodra, i dyshuari për atentatin ndaj Çapjas, është gjithashtu në kërkim për operacionin “Metamorfoza”.

Masa detyrim paraqitje u është caktuar dhe gazetarëve Elton Qyno dhe Artan Hoxha, të cilët akuzohen për “Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.

21 Masat e Sigurisë:

Arrest me burg:

Marjus Lulaj (alias Suel Çela)

Mario Çela

Xhino Roka

Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja)

Sergej Hasanpapaj

Bruno Hazizolli

Ledio Zabeli

Marsel Roka

Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku)

Preke Kodra

Fuad Verzivolli

Metin Mehja

Renato Hasani

Skender Sufaj

Pajtime Fetah

Dedan Gjoni

Marsel Shega (alias Bujar Shega)

Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa)

Arrest në shtëpi:

Blerina Beqiri

Detyrim paraqitje:

Elton Qyno

Atan Hoxha

Struktura dhe Aktiviteti i Organizatës Kriminale

Organizata kriminale, e udhëhequr nga Suel Çela, kishte për qëllim të kontrollonte territorin në Shqipërinë e Mesme dhe përdorte dhunë për të eliminuar grupe rivale. Aktiviteti kryesor i grupit ishte trafiku ndërkombëtar i kokainës, e cila transportohej nga Amerika Latine në Europë. Droga kalonte përmes porteve të mëdha europiane, si Antverp dhe Roterdam, dhe shpërndahej në shtete të tjera si Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Belgjikë dhe Holanda. Të ardhurat nga ky aktivitet kriminal përdoheshin për të investuar në pastrimin e parave dhe blerjen e lëndëve narkotike.

Hetimi ka dokumentuar disa veprime penale të rënda, përfshirë vrasje të mbetura në tentativë, siguri për realizimin e vrasjeve dhe tentativë për trafikimin e më shumë se 1,000 kg kokainë. Po ashtu, dyshohet se organizata ka pasur ndikim dhe ka korrupsionuar funksionarë të sistemit të drejtësisë dhe policisë.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.
Shtetasi M.L. (alias S.Ç.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë

Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

Në blerjen e lëndës narkotike
Në gjendje cash-i në Shqipëri
Në biznese në dukje të rregullt
Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit
Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).

Veprat penale të dyshuara:

“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të A.Ç, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.

“Grup i strukturuar kriminal”.

“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.

“Shpërdorim detyre”.

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu