Një raport i fundit i Indeksit për zotërimin e gjuhës angleze EF (EF EPI) për 2024, ka dëshmuar se niveli global i njohjes së gjuhës angleze te të rriturit është në rënie të vazhdueshme.
Ky sondazh, një nga më gjithëpërfshirëset në nivel global, përfshiu rezultatet e më shumë se 2.1 milionë pjesëmarrësve nga 116 vende, përfshirë Shqipërinë (e 43-ta në botë, e 30-ta në Evropë), por jo edhe Kosovën.Gjetjet e hulumtimit tregojnë për tendenca shqetësuese në mësimin dhe përdorimin e anglishtes në mbarë botën. Në vendin e parë për nga aftësia e lartë e gjuhës angleze renditet Holanda, pasuar nga Norvegjia, Singapori, Suedia dhe Kroacia. Në fund të listës renditen Laosi, Kongo, Jemeni, Libia dhe Ruanda.
Vendet ku mund të keni vështirësi të konsiderueshme për të komunikuar në anglisht në Evropë janë Turqia (65) dhe Azerbajxhani (86).
EF EPI përdor të dhënat e mbledhura përmes testeve falas të gjuhës angleze në internet të administruara nga organizata globale e arsimit EF Education First.
Testet përfshijnë detyra gramatikore dhe gjuhësore dhe një vlerësim të të kuptuarit të leximit dhe dëgjimit. Pjesëmarrësit janë të rritur jo-folës të gjuhës angleze. Rezultatet e testit analizohen për të përcaktuar nivelin mesatar të aftësisë angleze në çdo vend.
Testimi i njohurive është vullnetar, gjë që mund të ndikojë në përfaqësimin e kampionit, pasi pjesëmarrësit shpesh motivohen të bëjnë një vlerësim të mirë të aftësive të tyre gjuhësore. Sidoqoftë, EF EPI mbetet një tregues i rëndësishëm i tendencave globale dhe dallimeve në aftësinë angleze.
Gjetjet kryesore të hulumtimit
Hulumtimi për 2024 tregoi se rreth 60% e vendeve shënuan rënie të nivelit mesatar të njohjes së gjuhës angleze krahasuar me një vit më parë. Ky trend është prezent prej disa vitesh, gjë që tregon probleme sistematike në mësimin dhe përdorimin e gjuhës angleze, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve dhe ngjarjeve globale si Covid-19.
Dallimet gjinore
Megjithëse hendeku midis burrave dhe grave në aftësinë e zotërimit të gjuhës angleze është më i ngushtë se më parë, burrat ende performojnë më mirë në 40 vende. Është interesante se Afrika është i vetmi kontinent ku gratë vazhdimisht tejkalojnë burrat.
Tendencat rajonale
Evropa, si rajoni me nivelin më të lartë mesatar të njohjes së gjuhës angleze, ka shënuar një rënie të lehtë, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian. Vendet skandinave vazhdojnë të dominojnë në renditje, por disa prej tyre shënojnë stagnim ose rënie të lehtë të mesatares.
Rëniet më të mëdha u panë në vendet aziatike, duke përfshirë Indinë dhe Kinën, pjesërisht që i atribuohen investimeve të reduktuara në edukimin gjuhësor dhe një fokusi në rritje në gjuhët lokale.Pas vitesh progresi, niveli i njohjes së anglishtes në Amerikën Latine ka mbetur i qëndrueshëm, megjithëse ka dallime të konsiderueshme midis zonave urbane dhe rurale.
Rajonet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, të cilat historikisht kanë nivele të ulëta të aftësisë angleze, po tregojnë përmirësim të lehtë, veçanërisht në vende të tilla si Arabia Saudite, ku reformat arsimore kanë pasur një efekt pozitiv.
Shkaqet e rënies globale të aftësisë angleze mendohet të jenë janë pandemia Covid-19, fokusimi në gjuhët lokale dhe pabarazitë socio-ekonomike./kosovapress