Ministria e Jashtme greke ka reaguar menjëherë pas incidentit të një dite më parë ku eurodeputeti, Fredi Beleri u sulmua me kos e vezë nga një protestues.
Selia e diplomacisë greke dënon ashpër këtë “sulm” dhe kërkon reagimin e autoriteteve shqiptare për të ruajtur sigurinë e anëtarëve të BE, të cilë duhet të trajtohen me respekt.
“Dënojmë sulmet ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës së delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë për të monitoruar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe lirinë e eurodeputetëve për të kryer pa pengesa detyrat e tyre. Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të BE-së dhe duhet të trajtohen me respektin e duhur”, shkruhet në reagim.
Polica ka shoqëruar në polici Dilaver Nelën, qytetarin që sulmoi me vezë dhe kos, Fredi Belerin te Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, një ditë më parë.
Mësohet se Nela do të merret në pyetje në lidhje me aktin e paprecedentë ndaj Belerit, i cili është në Tiranë në cilësinë e eurodeputetit, dhe më pas do të lihet i lirë.
Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. N., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 84 dhe 274 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, përpara Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, dyshohet se ka goditur me produkte ushqimore shtetasin F. B., me detyrë eurodeputet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.