Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se përdorimi jo i duhur i rrjeteve sociale është në rritje te fëmijët në Evropë. Ata ka rrezik të zhvillojnë varësi ndaj lojërave online thotë organizata.
“Kemi nevojë për veprime urgjente dhe të qëndrueshme për të ndihmuar adoleshentët të ndalin përdorimin potencialisht të dëmshëm të rrjeteve sociale, i cili sic është treguar, çon në depresion, bullizëm, ankth dhe performancë të dobët në shkollë”, ka thënë drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Në vitin 2022, 11 për qind e adoleshentëve shfaqnin shenja të përdorimit jo të duhur të rrjeteve sociale, ndërsa katër vjet më parë kjo shifër ishte shtatë për qind.
Të dhënat u morën në një anketë që përfshinte 280 mijë fëmijë, të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç, nga 44 vende të Evropës, Azisë Qendrore dhe Kanadasë.
Tek ata janë vërejtur simptoma të ngjashme me ato të varësisë, përkatësisht pamundësia për të kontrolluar përdorimin e tepruar dhe braktisja e aktiviteteve të tjera në favor të rrjeteve sociale. Pasojat negative të përdorimit të tepruar kishin impakt të shtuar në jetën e përditshme.
Ky fenomen është më i përhapur tek adoleshentët rumunë nga mosha 13 deri në 15 vjeç, ku prek 28 për qind të tyre dhe më së paku vërehet tek adoleshentët holandezë (tre për qind).
Fakti shqetësues është se një e treta e adoleshentëve luajnë çdo ditë lojëra online dhe 22 për qind e tyre luajnë të paktën katër orë, sipas të dhënave të OBSH-së.