
Gazetarja Anila Hoxha ka reaguar publikisht për arrestimin e një 34-vjeçareje, duke e cilësuar rastin si një situatë që ngre pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të ligjit dhe trajtimin e rasteve me ndjeshmëri sociale.
Sipas Hoxhës, gruaja u arrestua në Aeroportin e Rinasit pas mbërritjes nga Gjermania për të vuajtur një dënim prej dy muajsh burg, të dhënë në mungesë në vitin 2023 për akuzën e dhunës në familje ndaj vjehrrit.
Gazetarja shkruan se sfida kryesore për autoritetet ishte fakti që 34-vjeçarja kishte me vete tre fëmijë të mitur, përkatësisht 9, 2 dhe 1 vjeç e gjysmë, ndërsa këmbëngulte që të paktën më i vogli të qëndronte me të.
Në reagimin e saj, Hoxha thekson se askush nuk mori në konsideratë faktin se dënimi, sipas interpretimit të saj, përfshihej në ligjin e amnistisë. Ajo shton se gruaja u dërgua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë dhe se foshnja 1-vjeçare pritet t’i dorëzohet nënës në burg.
Sipas gazetares, edhe vjehrri, i cili ishte pala e dëmtuar, e kishte falur 34-vjeçaren, ndërsa ajo e mbyll reagimin duke vënë në diskutim mënyrën se si u zbatua ligji në këtë rast.






