TIRANË – Shqipëria do të thellojë angazhimin në misionet ndërkombëtare të NATO-s dhe të partnerëve strategjikë. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi se javën e ardhshme Këshilli i Ministrave pritet të miratojë vendimin për dërgimin e oficerëve të shtabit në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza, ndërsa qeveria miratoi edhe dërgimin e një toge të Forcave të Armatosura në Brigadën Shumëkombëshe në Rumani.

Sipas ministrit, angazhimi fillestar në Gaza do të kufizohet me oficerë shtabi, të cilët do të jenë pjesë e strukturës së Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Vetëm pas vlerësimit të tyre në terren do të vendoset nëse Shqipëria do të dërgojë edhe trupa të tjera, si dhe sa do të jetë numri i tyre.

“Shqipëria ka marrë një angazhim në kuadër të Bordit të Paqes. Pas misionit të vlerësimit në Gaza do të dërgojmë oficerët e shtabit dhe më pas do të vlerësojmë edhe angazhimin e trupave konkrete”, deklaroi Nufi.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar projektvendimin për dërgimin e një toge të Forcave të Armatosura në Brigadën Shumëkombëshe të NATO-s në Rumani, duke e cilësuar këtë një kontribut në forcimin e sigurisë kolektive të Aleancës dhe në rritjen e përvojës operacionale të ushtarakëve shqiptarë.

Sa i përket samitit të NATO-s, Nufi konfirmoi se Aleanca ka vendosur që ai të zhvillohet në Tiranë, ndërsa viti i organizimit – 2027 ose 2028 – do të përcaktohet nga vendet anëtare. Ai tha se është ngritur tashmë një task-forcë për organizimin e samitit dhe se janë analizuar modelet e organizimit të samiteve të mëparshme.

Në fushën e mbrojtjes, ministri deklaroi se Shqipëria ka rritur shpenzimet ushtarake në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2026, në përputhje me objektivat e NATO-s, ndërsa synimi është që deri në vitin 2035 ky nivel të arrijë në 5%.

Nufi sqaroi gjithashtu se kredia prej 300 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara do të përdoret për blerjen e sistemeve, pajisjeve dhe mjeteve të reja për Forcat e Armatosura, në kuadër të planit afatgjatë të modernizimit të ushtrisë shqiptare.

Ministri bëri të ditur edhe se kërkesat për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura janë rritur me mbi 90%, zhvillim që sipas tij lidhet me përmirësimin e pagave, kushteve të shërbimit dhe investimeve në sektorin e mbrojtjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu