
Pas zjarrit që përfshiu kompleksin “Arlis” në zonën e Farmacisë nr. 10 në Tiranë, banorët e prekur kanë firmosur një peticion me 10 kërkesa urgjente drejtuar institucioneve dhe kompanisë ndërtuese.
Mes kërkesave kryesore është sigurimi i qirasë për familjet e dëmtuara deri në rikthimin e apartamenteve në gjendjen e mëparshme, si dhe formalizimi i çdo procedure përmes kontratave të noterizuara.
Banorët kërkojnë gjithashtu një ekspertizë të pavarur teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese në fasadë dhe zëvendësimin e menjëhershëm të çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara sipas standardeve europiane.
Një tjetër shqetësim i ngritur është funksionimi i sistemit kundër zjarrit. Sipas tyre, alarmet, pajisjet e fikjes dhe rrugët e evakuimit nuk kanë qenë plotësisht funksionale në momentin e incidentit, ndaj kërkohet një audit i plotë i këtyre sistemeve.
Në peticion theksohet edhe nevoja për transparencë nga kompania ndërtuese mbi materialet dhe kontrollet e cilësisë, si dhe mbajtja e përgjegjësive ligjore në rast shkeljesh.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim për familjet dhe bizneset e dëmtuara, rikthimin e apartamenteve sipas kontratave fillestare dhe pajisjen e kompleksit me hidrantë funksionalë.
Në fund, ata bëjnë thirrje për zbatim të plotë të standardeve europiane të sigurisë, përfshirë certifikimin e instalimeve elektrike dhe kontrolle periodike për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.





