Aktivisti Aulon Kalaja ka denoncuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj tij gjatë protestës së opozitës, pas së cilës përfundoi në spitalin e Traumës.

Në një intervistë për Top Channel, Kalaja deklaroi se është goditur nga katër efektivë policie, ndërsa paralajmëroi se do të depozitojë dy kallëzime në Prokurori. Sipas tij, incidenti ndodhi në momentin kur tentoi të nxirrte një protestues nga radhët e policisë.

“Është hera e parë në jetën time që dhunohem në një protestë. Humbja ndjenjat pasi u godita me shkelma nga dy policë dhe më pas më hodhën sprej nga disa drejtime. Kam kërkuar analiza toksikologjike për të kuptuar çfarë lënde ishte,” u shpreh ai.

Kalaja shtoi se ka pësuar dëmtime në kokë dhe qafë, duke u detyruar të mbajë qafore për disa javë, ndërsa theksoi se dhuna ndaj tij ishte e pajustifikuar dhe jo proporcionale.

Ai paralajmëroi se do të kallëzojë si personin që e ka akuzuar për dhunë ndaj policisë, ashtu edhe efektivët për torturë dhe procedurë, që sipas tij, është antikushtetuese.

Duke komentuar reagimin institucional, Kalaja kritikoi edhe ministrin e Brendshëm, duke thënë se nuk ka pasur asnjë interesim për gjendjen e tij, ndryshe nga vizitat që janë bërë për policët e lënduar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu