
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për shqyrtimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës.
Përmes një videomesazhi, Balla e cilësoi vendimin si një “lajthitje në objekt”, duke theksuar se gjykatat nuk kanë juridiksion mbi vendimet disiplinore të Kuvendit, të cilat sipas tij janë kompetencë ekskluzive e parlamentit.
Ai nënvizoi se dhuna dhe bllokimi i punimeve të Kuvendit nuk mund të justifikohen dhe se masat e marra janë në përputhje me rregulloren dhe standardet parlamentare. “Askush nuk është mbi rregullat, pavarësisht përkatësisë politike”, u shpreh Balla.
Duke iu referuar praktikave ndërkombëtare, ai solli si shembull parlamentet e Italisë dhe Francës, ku procedurat disiplinore ndaj deputetëve trajtohen brenda institucioneve përkatëse dhe nuk i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor.
Reagimi i Ballës vjen në një moment kur vendimi i Gjykatës Administrative ka hapur debat të fortë mbi ndarjen e pushteteve dhe kufijtë e ndërhyrjes së gjyqësorit në çështjet e legjislativit.
Çështja pritet të vijojë të përplasë politikën dhe institucionet e drejtësisë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime nga organet si KLGJ apo ILD.






