
Situata e zjarreve në vend është përmirësuar gjatë pasdites së 22 gushtit. Deri në orën 17:00 janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive, ndërsa 6 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar, ndërsa forcat vijojnë kontrollin e vijës së zjarrit për të shmangur riaktivizimet. Në terren janë angazhuar zjarrfikës, shërbimi pyjor, punonjës vendorë, banorë e vullnetarë, si dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga dy helikopterë.
Në Prozhem të Pukës zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Era po ndikon në intensitetin e flakëve, por aktualisht nuk raportohen banesa të rrezikuara.
Operacioni vazhdon edhe në Shtanë–Tenë të Mirditës, ku po punojnë forcat vendore dhe Forcat e Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja me 25 efektivë zjarrfikës, 5 forca të ADZM-së dhe 30 efektivë të FA-së. Operacioni mbështetet nga një helikopter dhe dy avionë Air Tractor, ndërsa zonat e banuara nuk paraqiten të rrezikuara.
Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht. Vatrat e tjera po mbahen nën mbikëqyrje për të parandaluar riaktivizimin e tyre.






