
Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar shtetasit e saj për demonstrata të mëdha që pritet të zhvillohen më 16 shtator, ditën kur Gjykata Speciale do të shpallë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas njoftimit, disa organizata po planifikojnë demonstrata në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Ambasada paralajmëron se tubimet mund të sjellin grumbullime të mëdha njerëzish, bllokime rrugësh dhe probleme serioze në trafik.
Shtetasve amerikanë u rekomandohet të kufizojnë lëvizjet pranë zonave ku priten demonstratat dhe të shmangin udhëtimet drejt punës apo shkollave nëse itinerari i tyre kalon në këto zona.
Masat janë edhe më të forta për personelin amerikan. Punonjësit e qeverisë së SHBA-së janë këshilluar të shmangin çdo udhëtim të panevojshëm pranë demonstratave dhe të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së bllokimeve dhe çrregullimeve në trafik.
Ambasada do të qëndrojë e hapur, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar sipas nevojës.
Paralajmërimi vjen dy ditë përpara vendimit të Gjykatës Speciale ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, çështje që ka mobilizuar ditët e fundit mijëra qytetarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.






