
Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtor tre të akuzuarit për sulmin e armatosur në Banjskë, duke dhënë dënime të rënda për ngjarjen që tronditi Kosovën në vitin 2023.
Sipas vendimit, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vite burg. Vendimi u shpall nga trupi gjykues në një seancë me masa të larta sigurie në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë.
Ngjarja lidhet me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën disa të tjerë. Sipas aktakuzës, grupi ishte i armatosur rëndë dhe i organizuar për të destabilizuar situatën në veri të vendit.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka akuzuar të pandehurit për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues, ndërsa në dosje përfshihen edhe dhjetëra persona të tjerë, me Milan Radoiçiqin të cilësuar si drejtues të grupit.
Vendimi pritet të ketë jehonë të gjerë në rajon, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.






