Bilanci i viktimave nga dy tërmetet shkatërrimtare që goditën Venezuelën është rënduar ndjeshëm. Sipas autoriteteve, të paktën 920 persona kanë humbur jetën, ndërsa 3.360 të tjerë janë plagosur, teksa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për qindra persona që besohet se ndodhen ende nën rrënoja.

Zona më e goditur mbetet La Guaira, në veri të Karakasit, ku dhjetëra ndërtesa janë shembur, përfshirë qendra tregtare, spitale dhe godina banimi. Autoritetet bëjnë të ditur se të paktën 172 persona rezultojnë ende të bllokuar, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet.

Familjet vazhdojnë të presin me ankth lajme për të afërmit e tyre. Natacha Diaz, një banore e La Guairas, tha se dy vajzat e saj, 22 dhe 23 vjeç, ndodheshin në një qendër tregtare kur ajo u shemb nga lëkundjet.

“Dua vetëm t’i gjejnë. Janë gjithçka që kam”, tha ajo.

Sipas autoriteteve, deri tani janë shpëtuar të paktën 243 persona vetëm në La Guaira, ndërsa në operacionet e kërkim-shpëtimit marrin pjesë qindra ekipe ndërkombëtare nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Meksika, Holanda, Zvicra dhe vende të tjera.

Qeveria venezueliane ka bërë të ditur se pas dy tërmeteve janë regjistruar 214 pasgoditje, ndërsa qindra ndërtesa dhe mbi një mijë objekte infrastrukturore kanë pësuar dëmtime të rënda.

Situata mbetet kritike edhe në sistemin shëndetësor. Spitalet po punojnë mbi kapacitet, ndërsa shumë të plagosur po trajtohen në struktura të improvizuara për shkak të dëmtimeve të shumta në institucionet mjekësore.

Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe shumë shtete kanë shtuar ndihmën humanitare për Venezuelën. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ekipe shpëtimi, avionë transporti, anije ushtarake dhe kanë njoftuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh.

Dy tërmetet goditën Venezuelën të mërkurën, ndërsa i dyti, me magnitudë 7.5, konsiderohet një nga më të fuqishmit që ka goditur vendin në më shumë se një shekull.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu