Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën, ku një zjarr i rënë në një banesë i ka marrë jetën një 35-vjeçari dhe dy fëmijëve të tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç.

Sipas autoriteteve, rasti është raportuar rreth orës 12:55 në lagjen “Mirëdita”, ku menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur policia, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Tre viktimat janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, por fatkeqësisht janë konstatuar pa shenja jete.

Zyrtarët bëjnë me dije se dyshohet se viktimat kanë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar. Ekspertët e zjarrit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa nuk ka ende konfirmim nëse bëhet fjalë për shpërthim bombole gazi.

Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.

Sipas informacioneve, familja jetonte në banesa sociale dhe në momentin e ngjarjes dy fëmijë të tjerë nuk ndodheshin në shtëpi, pasi njëri ishte në shkollë dhe tjetri në çerdhe.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa drejtues të institucioneve kanë shprehur ngushëllime për familjen e viktimave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu