
Organizatori i protestave në Prishtinë, Çlirim Haziri, ka kërkuar falje për incidentin me deputetin e Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, i cili një ditë më parë u mbajt për disa momente nga protestuesit dhe nuk u lejua të largohej nga Kuvendi i Kosovës.
Haziri tha se ngjarja ndodhi në një moment tensioni të lartë, ndërsa akuzoi policinë se me ndërhyrjen e saj provokoi turmën dhe përshkallëzoi situatën.
“Më vjen keq për incidentet e djeshme dhe me një deputet të VV që ishte familjar dëshmori. Ishte një provokim që ndodhte kur gjithçka ishte e tensionuar”, deklaroi Haziri.
Sipas tij, situata u rëndua pasi policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve, mes të cilëve, siç tha ai, ndodheshin edhe gra dhe fëmijë.
“Deri në momentin që policia gjuajti me gaz lotsjellës. Kemi qenë me gra e fëmijë dhe kanë gjuajtur me gaz lotsjellës sikur të mos jemi bashkë në një kauzë”, u shpreh ai.
Protestuesit ndodhen prej 21 ditësh në sheshin “Skënderbeu”, duke kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Haziri akuzoi institucionet se nuk kanë reaguar ndaj kërkesave të tyre dhe se çështja është futur në lojë politike.
“Jemi në sheshin Skënderbeu prej 21 ditësh me një kërkesë të thjeshtë: ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkojmë drejtësi të drejtë, të bazuar në fakte e prova dhe jo drejtësi të diktuar politikisht nga Serbia e Rusia”, tha ai.
Ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë, duke këmbëngulur se lëvizja nuk synon dhunën dhe as përplasjet me policinë.
“Ne do të vazhdojmë edhe sot të qëndrojmë dhe nuk do të ndalojmë. Zëri ynë nuk është dhuna apo huliganizmi. Zëri ynë është kërkesa jonë, dëshmorët tanë dhe UÇK-ja”, deklaroi Haziri.
Protesta para institucioneve të Kosovës u shoqërua një ditë më parë me tensione dhe përplasje, ndërsa situata u përshkallëzua pas ndërhyrjes së policisë dhe përdorimit të gazit lotsjellës.






