
Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike vijoi edhe në ditën e 15-të radhazi para Kryeministrisë, por për herë të parë u shoqërua me tensione dhe tentativa për përplasje fizike mes disa pjesëmarrësve.
Tubimi, i nisur fillimisht si kundërshti ndaj projektit turistik në Zvërnec, vazhdon të zgjerojë axhendën e tij me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e figurave kryesore politike në vend.
Momenti më i tensionuar u regjistrua kur në turmë u shfaqën disa të rinj të maskuar me kapuçë dhe syze, ndërsa nga podiumi u denoncua se persona të paidentifikuar po mblidhnin karta identiteti dhe firma për një peticion.
Sipas organizatorëve, incidenti lidhej me një nismë për mbledhje firmash për referendum lidhur me Paketën e Maleve dhe ligjin për investimet strategjike. Situata shkaktoi debate dhe tension mes pjesëmarrësve, por pa pasoja të rënda.
Një zhvillim që u prit me entuziazëm nga protestuesit ishte vendimi i deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar si deputete e pavarur.
Lajmi u përshëndet nga pjesëmarrësit si një sinjal politik në favor të kauzës së tyre, ndërsa nga podiumi u kërkua që deputetja t’i bashkohej protestës.
Në protestë morën pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, kryesisht nga Gjermania dhe Suedia, të cilët mbajtën fjalime ku bënë thirrje për ndryshim politik dhe kthimin e emigrantëve në vend.
Paralelisht me Tiranën, protesta dhe tubime simbolike u zhvilluan edhe në qytete të tjera, përfshirë Beratin, si dhe në disa komunitete shqiptare jashtë vendit, mes tyre në Mynih të Gjermanisë.
Pas më shumë se dy orësh fjalime, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa organizatorët paralajmëruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.






