Një nga momentet më të veçanta të protestës së zhvilluar këtë të shtunë kundër qeverisë ishte dalja e një studenteje me maskën e Belinda Ballukut në fytyrë dhe zinxhirë në duar, në një performancë simbolike që tërhoqi vëmendjen e protestuesve.

E reja u shfaq në podium e shoqëruar nga dy vajza të tjera që mbanin maskat e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i paraqitur të tre figurat politike si të burgosur.

“Kam ardhur sot si Belinda Balluku në burg, e këtu afër meje kam Edi Ramën dhe Berishën në burg. Këto zinxhirë i ka mbajtur populli ynë për vite me radhë në duar. Ky popull i shtypur dhe i keqtrajtuar. Vota është vjedhur. Shqiptarët janë larguar për bukën e gojës. Jam këtu si studente, as si bijë deputeti e as si vajzë ministri. Jam këtu si pjesë e popullit”, deklaroi ajo para protestuesve.

Mes thirrjeve kundër klasës politike, studentja e paraqiti performancën si një simbol të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisjes dhe opozitës, duke argumentuar se shqiptarët prej vitesh mbajnë “zinxhirët” e varfërisë, emigracionit dhe mungesës së besimit te politika.

Protesta e sotme shënoi ditën e 14-të të mobilizimit kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve edhe në ditët në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu