
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, sot në 14 maj u fol për shqiptarët më të pasur, që jetojnë e punojnë në vendin tonë apo në shtete të ndryshme të botës.
Mes tyre qëndron Samir Mane, që është renditur dhe në listën e revistës Forbes si një biznesmen tepër i sukseshëm. Në një intervistë të ritransmetuar këtë mbrëmje, Mane tregoi rrugëtimin e tij drejt suksesit, si ai e nisi gjithçka me vetëm 150 dollarë.
“Unë në vitet 1990 nuk ika në Greqi apo Itali, si shumica e shqiptarëve, por në Austri. Kisha një shok në shtetin austriak, ishte student në Vjenë dhe vendosa të shkoj në Austri. Unë ika me një vizë false austriake dhe me një vizë të rregullt jugosllave në atë kohë. Me vete kam pasur vetëm 150 dollarë. Kërkova azil politik dhe nuk e fitova. U regjistrova si student në Universitetin Vjenës, por ndërpreva studimet e më pas vendosa të merrem me biznes”, tha Mane.
Më pas, ai tregon se Vjena ishte një qendër e tregtimit të pajisjeve elektro-shtëpiake dhe ndaj e shtoi interesin për këtë biznes.
“Vjena ishte një qendër e tregtimit të pajisjeve elektro-shtëpiake për të gjithë Europën Lindore. Nisa punë si përkthyes, duke përkthyer disa biznesmenë të vegjël shqiptarë, që blinin mallra në Austri, për t’i shitur në Shqipëri. Pastaj nisa të blej vetë. Tregu shqiptar ishte shumë i uritur në atë kohë. Në Shqipëri i shisja pajiset elektro-shtëpiake me 3-4-fishin. Udhëtoja vetë, shkoja çdo javë dhe kthehesha prapë. Jam marrë dhe me exchange në muajt e parë. Dhramia në Shqipëri ishte më e lirë, kurse në Austri ishte më e shtrenjtë. Pasi fitova goxha para, mendova se duhet të hap një biznes timin. Krijova Albatrade, ku nisa me pajisje elektro-shtëpiake dhe transport. Është kompani që bën rreth 100 milionë euro në vit në Austri. Kemi nisur projekte shumë të mira në Austri, që shkojnë shumë mirë. Më shumë kam pasur biznese jashtë sesa në Shqipëri. Më 1995 apo 1996 isha milioner, isha certifikuar nga Austria, në moshën 23-vjeçare”, u shpreh Mane.
Samir Mane është biznesmeni i parë shqiptar në listën e Forbes dhe posedon një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh.
/tvklan.al






