
Japonia po përballet me reshje rekord dhe përmbytje të rënda në prefekturën Chiba, pranë Tokios. Të paktën katër persona kanë humbur jetën, pesë të tjerë janë plagosur, ndërsa mbi 100 mijë familjeve u është kërkuar të evakuohen.
Autoritetet japoneze e kanë cilësuar situatën si “të paprecedentë”, pasi në disa zona janë regjistruar mbi 100 milimetra shi në vetëm një orë.
Reshjet e dendura shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa më shumë se 20 mijë familje mbetën pa energji elektrike. Autoritetet lëshuan fillimisht alarmin e nivelit 5, shkalla më e lartë e emergjencës, i cili të premten u ul në nivelin 4.
Mes viktimave është edhe një grua që humbi jetën pasi automjeti i saj u përmbyt në një rrugë të mbuluar nga uji. Dy persona të tjerë u gjetën në rrugë dhe më pas u konfirmua vdekja e tyre.
Kaosi ka përfshirë edhe transportin. Rreth 7 mijë udhëtarë mbetën të bllokuar gjatë natës në aeroportin ndërkombëtar Narita të Tokios, ndërsa mijëra të tjerë u detyruan të kalonin natën në stacione dhe ndërtesa publike. Rreth 1,800 persona u strehuan në godinën e qeverisë së prefekturës Chiba.
Disa linja hekurudhore vijojnë të jenë të pezulluara, ndërsa segmente të autostradave kryesore janë mbyllur.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë shpjegoi se fenomeni ekstrem u shkaktua nga depërtimi i ajrit të ngrohtë dhe shumë të lagësht në lindje të vendit, i cili u përplas me masa të ftohta ajrore në lartësi, duke krijuar kushte atmosferike jashtëzakonisht të paqëndrueshme.
Guvernatori i Chibas, Toshihito Kumagai, e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të pazakontë edhe për standardet historike të motit në Japoni.
Reshjet vijnë pas një serie stuhish që kanë goditur Japoninë dhe vende të tjera të Azisë gjatë kësaj jave, në një sezon tajfunesh që parashikohet të jetë veçanërisht aktiv.
Autoritetet paralajmërojnë se rreziku nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut vazhdon, ndërsa operacionet e shpëtimit janë përqendruar në zonat më të prekura.






