Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dha detaje të reja mbi helmimin e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, ngjarje që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e konsumimit të ushqimit të servirur nga kompania “Sori-Al”.

Në konferencën për mediat, Hita bëri të ditur se janë arrestuar dy persona përgjegjës të kompanisë, ndërsa administratorja e subjektit, Alma Tafani, është shpallur në kërkim.

“U arrestuan dy prej personave përgjegjës të kompanisë, është shpallur edhe në kërkim administratorja e firmës”, deklaroi Hita.

Sipas Policisë, në bashkëpunim me AKU-në është bllokuar sasia e ushqimit që dyshohet se shkaktoi helmimin, ndërsa vijon gjurmueshmëria dhe verifikimi i produkteve të përdorura.

Megjithatë, drejtori i Policisë konfirmoi se aktiviteti i kompanisë nuk është ndërprerë dhe se Akademia e Sigurisë edhe gjatë ditës së sotme do të vijojë të furnizohet me ushqim nga i njëjti subjekt.

“Është bllokuar sasia e ushqimit që është përdorur. Kompania vazhdon edhe sot me ushqimin. I ngelet hetimit si do vazhdohet me kontratat me këtë kompani”, u shpreh Hita.

Policia dhe institucionet përgjegjëse po kryejnë ekzaminimet laboratorike për të zbardhur shkakun e helmimit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

Reagimet

Administratori i Akademisë së Policisë, Milton Nushi, reagoi pas incidentit ku 56 studentë shfaqën probleme shëndetësore të dyshuara si helmim ushqimor.

Në një deklaratë për mediat, Nushi tha se studentët nisën të shfaqnin shqetësime pas konsumimit të drekës dhe fillimisht morën ndihmë në infermierinë e Akademisë, ndërsa më pas u transportuan në QSUT për trajtim mjekësor.

“Kanë pasur shqetësime studentët pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT dhe janë kthyer të gjithë shëndoshë e mirë”, deklaroi ai.

Sipas administratorit, dyshimet e para lidhen me ushqimin e sjellë nga kompania e kateringut, ndërsa AKU dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë marrë mostrat për analizë.

Nushi sqaroi se ushqimi nuk gatuhet në ambientet e Akademisë së Sigurisë, por në një qendër tjetër të licencuar nga kompania që ofron shërbimin.

Ai bëri të ditur se institucioni ruan mostrat e ushqimit për 24 orë dhe ka një komision të posaçëm që kontrollon pranimin e vakteve bashkë me mjekun e institucionit.

“Ushqimi vjen në formë kateringu. Ne mbajmë mostrat të ruajtura 24 orë për raste të tilla”, u shpreh Nushi.

Administratori theksoi se kjo është hera e parë që ndodh një incident i tillë në vitet e fundit, ndërsa shtoi se gjendja e studentëve është e mirë dhe aktiviteti në Akademi vijon normalisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu