Kryeministri Edi Rama i kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij në aktivitetin “35 vjet PS, Fier – Krenar për Partinë Socialiste” protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se shqetësimi për mjedisin është përdorur për të ndërtuar një lëvizje me objektiva të tjera politike.

Rama tha se mes protestuesve ka qytetarë që shqetësohen realisht për mjedisin, por sipas tij kauza është deformuar nga grupe dhe individë që po e përdorin për interesa të tjera.

“Thënë kjo, nuk po them që njerëzit që dalin atje janë agjentë, janë spiunë, janë të futur nga forca të errëta. Nuk po them këtë fare. Absolutisht s’e them këtë, por përveç një pjese të mirë aty që janë këta politikanët e rinj të partive të reja, që u vjetëruan shumë më shpejt sesa normalisht do të ishte e natyrshme, është një pjesë njerëzish aty, që kanë rënë pre e kësaj”, deklaroi Rama.

Kryeministri mbrojti bilancin e qeverisë në mbrojtjen e mjedisit, duke kujtuar ndalimin e gjuetisë dhe rikthimin e flamingove në lagunat shqiptare.

“Nuk kishte flamingo në Shqipëri dhe kjo është diçka faktike. Sot ne kemi një regjistër të të gjithë popullsisë së shpendëve dhe të kafshëve në Shqipëri. Është shumëfishuar nga koha kur ne filluam të mbajmë regjistrin dhe si u shumëfishua dhe pse u kthyen flamingot? Sepse kjo qeveri ndaloi për 10 vjet gjuetinë”, u shpreh ai.

Rama kritikoi edhe mënyrën se si po zhvillohen protestat, duke thënë se kush ka shqetësime për mjedisin duhet të kërkojë transparencë dhe dialog me ekspertët, jo largimin e qeverisë.

“Nëse je në protestë që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh pastaj që të largohet qeveria, por duhet të kërkosh hesap për flamingot”, tha kryeministri.

Duke iu referuar projektit në Zvërnec dhe investimeve të tjera strategjike, Rama deklaroi se qeveria nuk do të heqë dorë nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe paralajmëroi se pas Sazanit dhe Zvërnecit do të vijnë edhe projekte të tjera të mëdha turistike.

“Edhe të tjerë investime aq të mëdha do t’i sjellim Shqipërisë. Shumë shpejt do të sjellim një investim po aq të madh, mbase edhe më të madh, diku midis Kavajës dhe Durrësit”, tha Rama.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu