Qeveria prezantoi Programin Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, një nismë që synon të ndihmojë sipërmarrjet shqiptare të përshtaten me standardet europiane dhe të përgatiten për Tregun Unik të BE-së.

Gjatë prezantimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se programi do të mbështetet nga ekspertiza e UNDP-së dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, me synimin për të informuar rreth 48 mijë ndërmarrje, për të ngritur një platformë kombëtare mbështetëse dhe një rrjet ekspertësh që do të asistojnë bizneset në procesin e integrimit.

Rama bëri të ditur se në ditët e ardhshme do të nisë edhe programi “Dyfisho Biznesin Tënd”, i cili do t’u ofrojë bizneseve të vogla dhe të mesme financim me interesa të ulëta përmes garancisë sovrane dhe marrëveshjes me bankat e nivelit të dytë. Sipas tij, çdo sipërmarrje që paraqet një projekt të besueshëm do të ketë mundësi të përfitojë financim dhe asistencë për përgatitjen e planeve të biznesit.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se është dyfishuar fondi për programin “Startup Albania”, pas rritjes së aplikimeve në mbi 1200, ndërsa paralajmëroi se financimi do të vijojë të rritet nëse interesi i të rinjve do të vazhdojë të shtohet.

Sipas Ramës, programi synon rritjen e standardizimit dhe certifikimit të bizneseve sipas kërkesave të Bashkimit Europian, organizimin e qindra trajnimeve dhe përfshirjen e universiteteve në proces, në mënyrë që sipërmarrjet shqiptare të jenë më konkurruese pas anëtarësimit të vendit në BE.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu