
Lëvizja e protestës që prej më shumë se një muaji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama po përballet me përçarjet e para të brendshme, ndërsa tentativa për krijimin e një “Kuvendi Qytetar” ka nxitur debate të forta mes vetë pjesëmarrësve.
Polemikat shpërthyen pas një mbledhjeje të zhvilluar në Tiranë nga një grup organizatorësh, ku u miratua platforma dhe kriteret për ngritjen e strukturës së re. Koordinatori Klajdi Bello njoftoi se ishte hedhur një hap i rëndësishëm drejt organizimit të Kuvendit, duke theksuar se procesi do të vijojë deri në mbledhjen e tij.
Por publikimi i këtij takimi solli reagime të menjëhershme nga protestues të shumtë, të cilët shprehën pakënaqësi për faktin se nuk ishin informuar dhe nuk kishin marrë pjesë në mbledhje. Në grupet e komunikimit të protestës u ngritën pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte përzgjedhur grupi nismëtar dhe mbi legjitimitetin e tij për të marrë vendime në emër të gjithë protestuesve.
Për të zbutur tensionet reagoi Edviol Kulluri, i cili sqaroi se takimi nuk përbënte vetë “Kuvendin Qytetar”, por vetëm një grup pune teknik që do të merret me organizimin e mbledhjes së madhe, ku sipas tij do të ftohen të gjithë protestuesit pa përjashtim.
Megjithatë, sqarimet nuk i ndalën debatet. Në diskutimet e zhvilluara online, shumë pjesëmarrës kërkuan më shumë transparencë dhe një proces të hapur për zgjedhjen e grupit organizues, duke argumentuar se një strukturë që pretendon të përfaqësojë protestuesit duhet të krijohet përmes një procedure të qartë dhe gjithëpërfshirëse.
Polemika pati edhe për përfaqësimin e studentëve në këtë proces, ndërsa disa organizatorë sqaruan se ata do të kenë një forum të veçantë brenda Kuvendit, çka solli diskutime të reja mes pjesëmarrësve.
Debatet e ditëve të fundit tregojnë se, krahas përballjes me qeverinë, organizatorët e protestës po përballen edhe me sfidën e ruajtjes së unitetit dhe besimit brenda vetë lëvizjes, në një moment kur synojnë të krijojnë një strukturë përfaqësuese të protestuesve.






