
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar ndaj pretendimeve të bëra nga avokati Gentian Serjani se i arrestuari Niko Qarkaj është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Policisë së Shtetit.
Përmes një deklarate publike, Lamallari bëri të ditur se menjëherë pas publikimit të këtyre pretendimeve ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tij, ka konfirmuar se akuzat janë “totalisht të pabaza dhe të pavërteta”.
Ministri sqaroi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur menjëherë verifikimet për rastin dhe po administron të gjitha të dhënat përkatëse.
Sipas Lamallarit, edhe Avokati i Popullit ka zhvilluar një verifikim të pavarur, duke vizituar të ndaluarit, pa konstatuar shenja apo prova që mbështesin pretendimet për dhunë.
Ai paralajmëroi se nëse edhe hetimi i AMP-së arrin në të njëjtin përfundim, Policia e Shtetit do ta referojë çështjen në Prokurori për kallëzim ndaj deklaruesit, sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, do të kërkohet edhe shqyrtimi i rastit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për përgjegjësinë etike dhe profesionale të avokatit.






